IShHP: Gati 60% e qytetarëve mendojnë se RMV ka arsim jo cilësor

    Gati 60 për qind e qytetarëve besojnë se vendi ka arsim jo cilësor, sipas anketës së fundit të opinionit publik të kryer nga Instituti i Shkupit për Hulumtime Politike. Sipas anketës, 57.3 për qind e të anketuarve janë shprehur se arsimi nuk është cilësor, krahasuar me 35.6 për qind që e mendojnë të kundërtën.

    Krahasimi me anketën e kryer nga IPIS në vitin 2019, është e qartë se sot pakënaqësia e qytetarëve me arsimin është edhe më e madhe, duke marrë parasysh se numri i atyre që e konsiderojnë atë të cilësisë së dobët ka shkuar nga 51.6 për qind në 57.3 për qind. Arsimi fillor së bashku me arsimin e mesëm janë vlerësuar si më të dobëtit. Në një shkallë nga 1 deri në 5, arsimi fillor ka një notë mesatare prej 2.65, dhe arsimi i mesëm ka një notë mesatare prej 2.64. Nota mesatare për arsimin e lartë është 2.73. Krahasuar me sondazhin e Detektor në 2019, qytetarët në të gjitha nivelet e arsimit kanë rënë në notat e tyre.

    Qytetarët janë më të pakënaqur me cilësinë e teksteve shkollore. Të pakënaqur me cilësinë e teksteve janë shprehur 64.8 për qind, ndërsa të kënaqur janë deklaruar vetëm 19.6 për qind, ndërsa
    pakënaqësi e madhe ka edhe me kurrikulën ku 56.8 për qind e qytetarëve janë shprehur të pakënaqur në krahasim me 22.1 për qind që u shprehën pozitivisht, 44.8 për qind e të anketuarve nuk janë të kënaqur me stafin mësimdhënës, ndërsa 36 për qind nuk kanë asnjë ankesë për mësuesit.

    Krahasuar me pesë vite më parë, shumica e qytetarëve besojnë se sot kemi arsim më të keq. 56.3 për qind ndajnë këtë qëndrim kundrejt 25 për qind që nuk shohin ndonjë ndryshim. Vetëm 9.6 për qind e të anketuarve thonë se arsimi i sotëm është në një nivel më të lartë krahasuar me situatën e pesë viteve më parë. E njëjta pyetje u bë në sondazhin katër vjet më parë, dhe më pas 48.9 për qind besonin se arsimi ishte përkeqësuar në pesë vitet e fundit, kundrejt 28.8 për qind që nuk panë ndryshime dhe 18.3 për qind që atëherë besonin se arsimi ishte në një nivel më të lartë në krahasim me pesë vitet e mëparshme.

    Sipas hulumtimit, 49 për qind e të anketuarve thonë se cilësia e procesit arsimor në vendin tonë është më e keqe në krahasim me vendet e rajonit. Një e katërta janë të mendimit se është e ngjashme, dhe vetëm 5.7 për qind besojnë se Maqedonia e Veriut ka arsim më të mirë se vendet e rajonit.

    Analiza tregon se edhe këtu krahasimi me anketën IPIS të vitit 2019 tregon se perceptimet janë përkeqësuar. Në atë kohë, 40.1 për qind mendonin se kishte arsim më të mirë në rajon, afër 30 për qind nuk gjetën ndonjë ndryshim dhe 10.4 për qind mendonin se vendi ka një proces arsimor më të mirë krahasuar me vendet e rajonit. “Sipas qytetarëve, arsyeja kryesore pse Maqedonia është në vendet më të ulëta në matjet botërore për cilësinë e arsimit është planprogrami i keq, mendim të cilin e ndajnë 19.2 për qind e qytetarëve, 15.5 për qind mendojnë se arsyeja kryesore është stafi joadekuat mësimor, 12.7 për qind e shohin problemin në tekstet shkollore jo cilësore dhe 11 për qind në kushtet e këqija në shkolla”, thuhet në përfundim. Anketa e Institutit për Hulumtime Politike Shkup është realizuar nga 28 shkurt deri më 3 mars të këtij viti  ku kanë marrë pjesë 1107  anketues.

    NUK KA PARA PËR LIBRA

    Viti shkollor po i afrohet fundit ndërsa nga MASH ende nuk i kanë furnizuar me libra nxënësit e shkollave të mesme pasi sipas ministrit Jeton Shaqiri, ata po përballen me mungesë të të ardhurave. Ai gjatë një paraqitje televizive tha se ata realisht nuk kanë para që t’i furnizojnë me libra shkollore të gjitha lëndët në arsimin e mesëm. “Sipas të dhënave që kam tani, nuk besoj se mund ta mbyllim tërësisht arsimin e mesëm profesional sepse trajton shumë lëndë. Realisht, nuk kemi për të gjitha lëndët e arsimit të mesëm profesional. Për shkollat fillore janë siguruar të gjitha lëndët edhe për konceptin e ri, ndërsa pjesa e mbetur e arsimit të mesëm do të plotësohet”, deklaroi Shaqiri.

    KULMI I MJERIMIT

    Nga partia opozitare VMRO-DPMNE kanë akuzuar pushtetin se në vend që të bëjë financimin e librave shkollore, ata po financojnë tenderët e vëllait të Artan Grubit.

    “Deklarata e ministrit të arsimit se nuk kanë para për të shtypur të gjitha librat shkollore për arsimin e mesëm është dëshmi se për LSD-në dhe BDI-në prioritet nuk është arsimi dhe studentët, por tenderët kriminalë të kompanive të afërta me pushtetin. Qeveria kishte para për të transferuar mbi 1 milionë vëllait të Grubit, por asnjë për libra shkollore”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

    “Qeveria ka para për të financuar mbikëqyrjen prej 22 milionë euro, 7 herë më shtrenjtë se projektet e tjera, por nuk ka para për tekste. LSD-ja dhe BDI-ja kanë para për REC, por nuk kanë për libra shkollore. Qeveria ka para për prioritetet e Kovaçevskit dhe Grubit, por nuk ka për studentët. Qeveria nuk është e aftë të realizojë gjërat për të cilat ekziston realisht, siç është arsimi normal dhe i aksesueshëm, dhe me çdo kusht kërkon të qëndrojë një muaj më gjatë. Cili është qëllimi i qeverisjes nëse ata nuk janë në gjendje të ruajnë sistemin, e jo më ta përmirësojnë atë? Duhen ndryshime”, thuhet në kumtesën e partisë opozitare. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Me apo pa qumësht – Cila kafe bën më mirë për shëndetin

    Lajmi i rradhës

    Pija që ju ndihmon për të djegur më tepër dhjamë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë