Ivanovska: Fushatën kundër korrupsionit duhet ta udhëheq komision i posaçëm, e jo qeveria

    Qeveria zhvillon fushatë paralele nga ajo e Komisionit kundër Korrupsionit. Kryetarja e këtij komisioni Biljana Ivanovska, konsideron se fushatën kundër këtij fenomeni duhet ta udhëheq komision i posaçëm, e jo Qeveria, e cila duhet të jetë racionale në shpenzimin e parave të shtetit. Në intervistë për “Radio Evropa e Lirë”, Ivanovska tha se anti- korrupsioni fushatën kundër korrupsionit e realizon me përkrahjen e projektit IPA dhe ndonëse Qeveria e dinte këtë, ajo e lansoi fushatën “Tashmë gjithçka është publike- korrupsioni nuk paguhet”.

    “Përgjegjësia për shpenzimin e parave është e tyre. Megjithatë, unë ende mendoj se shembulli më i mirë dhe fushata më e mirë e Qeverisë për luftën kundër korrupsionit është shembulli i tyre personal dhe politikat e tyre që ata i udhëheqin, kështu që, asnjë fushatë, nuk e di sa mjete shpenzojnë, nuk mund ta mbulojë këtë. Që do të thotë se, unë personalisht nuk mendoj se Qeveria duhet të bëjë fushata të tilla”, tha Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK-së.

    Nuk ka ekskluzivitet se cili institucion do të bëjë fushatë kundër korrupsionit. Përgjigje të tillë e morëm nga kabineti i zëvendëskryeministrit Ljupço Nikolovski. Sipas tyre fushata është me interes publik, ndërsa për këtë kanë vendosur pas analizave dhe vlerësimeve të thella, konsultimeve dhe rekomandimeve me ekspertë dhe partnerë ndërkombëtarë.

    “Lufta kundër korrupsionit është një nga temat më të rëndësishme me të cilën duhet të ballafaqohemi dhe prandaj nevojiten qytetarët në të gjithë betejën. Të inkurajohen, të jenë të lirë, ta njohin dhe denoncojnë korrupsionin. Fushata të tilla kanë një synim të tillë, të ndërgjegjësojnë qytetarët për dëmet nga korrupsioni pas funksionimit të të gjithë sistemit. Fondet për fushatën janë pjesë e buxhetit që është në dispozicion”, njoftojnë nga Kabineti i Ljubço Nikollovskit, zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit dhe krimit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore.

    Për fushatën “Tani çdo gjë është publike – korrupsioni nuk paguhet”, Qeveria ka shpenzuar gjithsej 270 mijë euro. Sipas Byrosë së Prokurimeve Publike, këto para kanë shkuar në një agjenci marketingu “Një për një” dhe “Teknografika”. Ndryshe, vendi është në stagnim në fushën e luftës kundër korrupsionit. Në raportin e fundit të Transparency International, Maqedonia renditet e 111-ta nga 180 vende sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit. Zëvendëskryeministri Nikolovski u arsyetua se korrupsioni nuk është rritur, por është perceptim i popullit. Anëtarët kundër korrupsionit u kundërpërgjigjën se efektet e tyre nuk po realizohen për shkak të ndikimit të fortë politik dhe mosveprimit ndaj vendimeve të organeve të pavarura, si dhe se nuk po trajtohet siç duhet korrupsioni në gjyqësor dhe në vend. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    VMRO-DPMNE me ultimatum të ri për Zaevin

    Lajmi i rradhës

    Kosova mbetet i vetmi shtet në rajon pa vaksinë kundër HPV

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë