Izet Mexhiti: Nuk ka më hapësirë në BDI, nuk përjashtojmë formimin e një lëvizje të re politike

    Grupi i zjarrit brenda BDI-së drejt formimit të lëvizjes së re politike. Këtë e ka bërë të ditur nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti i cili mbrëmë shpalosi emrat e koordinatorëve në Tetovë, Gostivar dhe në kuadër të njësive zgjedhore numër 1 dhe 2. Sipas Mexhitit në BDI janë mbyllur të gjitha dyert dhe më nuk ka hapësirë për veprim.

    “Kur në BDI nuk ka në statut hapësirë për të funksionuar si fraksion, nuk ka as vullnet politik nga zoti Ahmeti i cili është deklaruar në 4-5 qëndrime publike, kur u shkarkuan nga pozicionet qeveritare të gjithë ata që mendojnë si ne, kur u shkarkuam nga kryesia qendrore dhe nuk ftohemi, kur u bënë degë të dirigjuara në këtë mënyrë siç ndodhi, unë konstatoj që më nuk ka hapësirë të veprojmë brenda BDI-së pasi të gjitha dyert janë të mbyllura”, u shpreh Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

    Mexhiti pranon se ka dallime brenda grupacionit. Sipas tij Blerim Bexheti dhe Musa Xhaferi janë të mendimit që të vazhdojnë si fraksion brenda partisë.

    “Edhe unë edhe ata konstatimin e kemi të përbashkët që BDI e ka humb rrugën, që ky ekzekutiv i ka degraduar politikat e BDI, as ne nuk e kemi parashikuar që kaq larg ka shkuar BDI. Dallimi jonë është se ata mendojnë që ka hapësirë të veprohet si fraksion dhe me dyer të mbyllura, ndërsa unë dhe të tjerët vlerësojmë se kjo është kohë e humbur është akrobacion politik dhe ashtu siç e kemi nisur me sinqeritet dhe seriozitet, duhet t’i ofrojmë alternativë votues, anëtarit, militanit të BDI-së duke mos përjashtuar formimin e një lëvizje të re politike”, shtoi Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.

    “Grupi i zjarrit” brenda BDI-së u shfaq para gati një viti si pasojë e pakënaqësisë sipas tyre me rezultatet që ka sjell ekzekutivi i BDI-së në krye me Artan Grubin. Pas dështimit të tentativave për të gjetur gjuhën e përbashkët brenda partisë, grupi vendosi të dalë si fraksion, ndërsa pas zgjedhjeve të mbajtura në disa degë të BDI-së dhe organizimin e strukturave të reja Mexhiti paralajmëroi formimin e lëvizjes së re politike. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Shpenzojmë mijëra denarë nga xhepi” – qytetarët ankohen për çmimet e ilaçeve në RMV

    Lajmi i rradhës

    Studentët e mjekësisë kundër “pengmarrjes së diplomës” nga shteti

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë