(PA)VARËSIA E GJYQËSORIT: “Vjetrimi” që po shpëton të akuzuarit!

    Vjetërsimi i lëndëve është njëra ndër metodat që keqpërdoruesit e detyrës zyrtare po i ikin përgjegjësisë dhe dënimit me burg. Së fundmi rikthimi në rigjykim i rastit kundër drejtorit të Policisë Sekrete të Maqedonisë, Sasho Mijallkov, i cili është dënuar me 12 vjet burgim, ka ngritur alarmin për rrezikun e vjetërsimit të lëndës dhe rrjedhimisht ai të mbetet i lirë dhe i pa dënuar për rastin në fjalë. Lënda “Target Fortesa” që ka të bëjë me aferën e përgjimeve, ku si akuzuar i parë është Mijallkov, vjetërsohet në vitin 2025, ndërkaq vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit që ajo të kthehet në rigjykim, i jep shans vjetërsimit të lëndës. Por për të njëjtën lëndë nuk u është shqiptuar dënime të njëjta ndaj çdo të akuzuari. Konkretisht, për ish-ministren e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, kjo vepër ka gjasa të vjetërsohet pas 20 viteve, për shkak se ajo është e akuzuar me aktakuzë sipas së cilës vepra vjetërsohet në afat më të gjatë.

    Por a mund Maqedonia e Veriut, të vendosë një ligj që ndalon vjetërsimin e lëndëve gjyqësore që shkelësit e ligjit të mos i ikin dënimit me burg? Si mund të rregullohet në mënyrë ligjore kjo problematikë dhe hapësirë ligjore që po shfrytëzohet bukur mirë nga ish-pushtetarët për të mos e marr dënimin e merituar? Apo problematika qëndron brenda gjyqësorit, ku nga kjo dispozitë pozitive përfitojnë shkelësit e ligjit dhe nuk praktikohet si duhet?

    Profesori universitar në Universitetin e Zagrebit, Andrej Bozhinovski për gazetën KOHA ka deklaruar drejtimi i të menduarit është interesant, megjithatë, miratimi i një ligji të veçantë për vjetrimin e lëndëve gjyqësore nuk është i nevojshëm, sepse vjetrimi i akteve është i specifikuar në Kodin Penal dhe është në përputhje me standardet moderne të drejtësisë penale. “Dispozitat e Kodit Penal marrin parasysh seriozitetin e krimit, dëmin e mundshëm të viktimës dhe mundësinë e një ndjekjeje të suksesshme. Vendosja e një ligji të veçantë për vjetërsinë e lëndëve mund të çojë në konfuzion dhe mospërputhje në sistemin ligjor dhe mund të veprojë si pengesë për drejtësinë për viktimat. Këto raste janë komplekse dhe viktima duhet të merret gjithmonë në konsideratë, gjë që nuk mendoj se do të ndodhë me miratimin e një ligji të ri”, deklaroi Bozhinovski. Ai mendon se dispozitat ekzistuese të Kodit Penal duhet të vazhdojnë të përdoren, pasi ato janë të qarta dhe vendimtare. “Problemi që po kërkohet nuk është në një ligj të veçantë apo mosfunksionim të dispozitave ekzistuese, por në mosefikasitetin dhe joefektivitetin e procedurës penale dhe aktorëve të saj”, u shpreh në fund Bozhinovski.

    Ish-gjykatësi Sejfulla Osmani, për gazetën KOHA, është shprehur se vjetrimi i lëndëve është në të gjithë legjislacionet e vendeve demokratike dhe përdorët si mjet për të penguar zvarritjen e proceseve gjyqësore. “Problemi nuk qëndron te vjetrimi i lëndëve por te listat e zgjedhjes së prokurorëve dhe gjykatësve, ku të gjithë faktorët politik kanë pasur tendencë për 30 vjet të kontrollojnë gjyqësorin dhe prokurorinë. Tendencat për të futur ‘lojtarët’ e vet secili faktor politik që kur të vijë koha e procedimit, të kaloj i pa ndëshkueshëm”, deklaroi ai.

    Osmani nënvizoi se në vendin tonë nuk kemi ndarje të drejt dhe “check and balance të tre pushteteve. Por kemi gjyqësor vazal të pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. “I gjithë gjyqësori kontrollohet me një buton. Këtë po e them me keqardhje, pasi kanë mbetur vetëm një numër i vogël i gjykatësve të pavarur dhe që kanë një pavarësi. Në vendin tonë kemi shembuj të shumtë kur gjykatësit kanë treguar pavarësi në vendimet e tyre janë larguar nga detyra”, ka shtuar Osmani. Ai në fund ka thënë se për ta parë gjendjen në gjyqësorin e vendit mjafton të shikojmë të gjithë raportet ndërkombëtare ku nxjerrin gjyqësorin si problematika numër një në vend. Derisa pushteti, siç tha ai, momentalisht nuk ka disponim për reforma, ata po gënjejnë edhe ndërkombëtaret se do te bëjnë reforma por një gjë e tillë vështirë të ndodhë. “Për momentin kemi vetëm tre për qind besim në gjyqësor, derisa me ndodhitë e fundit të cilat po zhvillohen në vend, kam frikë se besimi në gjyqësi dhe prokurori do të bjerë edhe më shumë”, tha në fund Osmani.

    Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut, përmes një grupi punues të ekspertëve do të shqyrtojë vendimin e Gjykatës së Apelit për kthimin në rigjykim të lëndës për përgjimin masiv, vepër e cila i ngarkohet ish-drejtorit të Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov. Përkatësisht, koordinatori i Gjykatës së Apelit së bashku me grupin e punës të themeluar nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të duhet t’i zbardhë arsyet pse lënda në fjalë qëndroi në sirtar për gati se një vit.

    Lajmi Paraprak

    Jazhinca ende pa mjek!

    Lajmi i rradhës

    Elezi: Nëse ASh ka ndonjë borxh të palarë ndaj BDI-së është mirë të tregojë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë