Jeta në pandemi: Të përgatitemi për bashkëjetesë me Covid-19

     A sinjalizojnë mutacionet e koronavirusit, pavarësisht vaksinimit, se do të kemi një betejë të gjatë me pandeminë e cila nuk po i dihet se kur do të përfundon? A po bëhen gjithnjë e më të realta teoritë e komplotit për luftën biologjike, apo ndryshimet klimatike po përforcojnë natyrën e viruseve deri në atë pikë sa ato do të jenë një përditshmëri mes njerëzve?

    Ndaj të gjitha këtyre dilemave nuk ka përgjigje të qartë, ndërsa opinioni botërorë bëhet edhe më skeptik se fundi i pandemisë është afër, sidomos që secili mutacion i virusit është më i rrezikshëm se i mëparshmi. Dhe shpresat për vaksinat duket se po veniten, veçanërisht pasi vendet me imunizim më të madh të popullsisë, siç është Izraeli, po përballen me një valë të re të infektive që po prek njerëzit që kanë marrë dy doza të vaksinës. Sa e rëndësishme është monitorimi i zhvillimit të llojeve të reja, a mund të asgjësohen, a mund të kontrollohen? Ose, me fjalë të tjera, a mund të mbahen infeksionet dhe viruset larg njerëzve që jeta të kthehet në normalitet, siç ishte para pandemisë. Shkencëtarët në të gjithë botën po analizojnë mostrat për të vërejtur lloje të reja të koronavirusit, dhe vëllimi i mostrave të analizuara ndryshon shumë për arsye financiare.

    Mediat botërore shkruajnë për një mutacion të ri të Covid-19, i cili pritet të fillojë të përhapet në muajt e ardhshëm. Tani për tani, nuk ka gjasa që të “zhduket” varianti delta, i cili aktualisht dominon. Edhe pse infeksioni i parë koronavirus lambda është regjisteruar në Peru një vit më parë, relativisht pak dihet për këtë lloj të mutacionit. Lloji i koronavirusit lambda jo vetëm që nuk është më ngjitës, por edhe më rezistent ndaj antitrupave, sipas një studimi të ri japonez. Me fjalë të tjera, vaksinat janë më pak mbrojtëse sesa ai variant i virusit. Deri më tani, varianti lambda është zbuluar në 30 vende, kryesisht në Amerikën e Jugut, por raste individuale janë regjistruar në Evropë – Spanjë, Britani të Madhe, Itali dhe Gjermani.

    Mikrobiologu Nikola Panovski thotë se keqkuptimi i parë në fillim të pandemisë ishte se karantina dhe mbyllja do të ndalonin përhapjen e virusit. Një keqkuptim i dytë ishte se mendohej që vaksina do të krijonte imunitet kolektiv në popullatë. “Është vërtetuar se asnjëri prej tyre nuk e ka parandaluar virusin apo mutacionet. Të vaksinuarit, edhe pse në numër të vogël, prapëseprapë e përhapin sëmundjen. E re është që në ato vende ku ka një mbulim të mirë të vaksinave ose ku ka shumë raste që e kanë tejkaluar virusin, ka më pak vdekje”, thotë Panovski. Sipas tij, virusi nuk do të çrrënjoset lehtë sikur sëmundjet tjera. “Do të na duhet të vaksinohemi më së shumti një herë në vit. Derisa të mendojë të largohet vetë, ai do të ekzistojë. Do të ekzistojë ashtu siç ekziston virusi i gripit”, përfundon Panovski.

    Në krye të listës së vendeve që analizojnë mutacionet e koronavirusit është Islanda, e cila analizon rreth 78% të mostrave, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor analizojnë më pak se 0.5%. Por, si monitorohen mutacionet e virusit? Jelena Begoviq, drejtoreshë e Institutit të Gjenetikës Molekulare dhe Inxhinierisë Gjenetike në Beograd, thotë se teknologjia e përdorur për të analizuar virusin është relativisht e vjetër dhe është përdorur në Serbi në vitet 1980. “Falë teknologjisë, shkencëtarët mund të lexojnë informacion në lidhje me funksionimin e plotë, pamjen dhe sjelljen e virusit,” tha ajo. Sipas saj, vazhdimisht ndodhin mutacione dhe shfaqen variante të virusit që kanë shansin më të madh për të mbijetuar në rrethana të caktuara. “Viruset janë parazitë, organizma shumë të thjeshtë, por ata kanë atë fuqi fantastike për t’u ndarë shpejt dhe për t’iu përshtatur situatës. Kur virusi gjendet në një numër të madh njerëzish, ndodhin mutacione në secilën përsëritje. Fatkeqësisht, llojet e reja të koronavirusit janë më ngjitëse”, tha Begoviq. Për të vërtetuar sjelljen e llojit të ri të virusit, siç shpjegon ajo, shpesh është e nevojshme të kryhen eksperimente shtesë.

    Begoviq thotë se kur zbulohet një variant i ri i virusit, ekziston një metodologji që përcakton se në cilin vend e ka origjinën ai variant. Sipas saj, monitorimi i mutacioneve është shumë i rëndësishëm. “Është shumë e rëndësishme të shihet se sa shpejt po përhapet ky lloj dhe nëse një variant i ri po shfaqet në popullatë”, potencon Begoviq. Islanda, Australia dhe Zelanda e Re janë ndër vendet që analizojnë më shumë mostra, Islanda analizon më shumë se 70 për qind të mostrave, Australia rreth 59 për qind dhe Zelanda e Re 47 për qind. Në fund të listës janë Azerbajxhani, Moldavia dhe Etiopia, të cilat analizojnë rreth 0.005 për qind të mostrave. Vendet e Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Sllovenisë, analizojnë më pak se 0.5% të mostrave./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Përkujtohet 20 vjetori i rënies së dëshmorit Ismail Memeti

    Lajmi i rradhës

    Zgjedhjet lokale: Të rinjtë nuk presin ndryshime thelbësore

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë