Zgjedhjet lokale: Të rinjtë nuk presin ndryshime thelbësore

    Muaji tetor do të jetë muaji i cili do të përcaktojë zgjedhjet e kryetarëve të ri të komunave në vend. Dukshëm shumë prej premtimeve nga zgjedhjet e kaluara mbeten të parealizuara dhe çdoherë shpresa mbetet që kryetarët e komunave fjalët e thëna të i zhvendosin në vepër dhe investime. Ndër parimet kryesore për një qeverisje të mirë është pjesëmarrja e të rinjve në çështjet vendimmarrëse dhe ekzekutive. Duke marrë parasysh se të rinjtë përbëjnë shumicën e popullsisë së komunave, ato do të trajtohen në mënyrë specifike, të drejtat e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të rinjtë që të përfshihen në politikat lokale, në varësi të moshës së tyre. Aktivistja Emira Selimi gjendjen aktuale të rinisë, e sheh në pikëpamjen zhgënjyese pasi që sipas saj mungesa në investim tek të rinjtë është i kamotshëm dhe nuk pritet ndonjë ndryshim thelbësor në këto zgjedhje.

    “Meqenëse tash po afrohen zgjedhjet lokale, të rinjtë në vendin tonë nuk është se janë duke e pritur me shumë dëshirë për një ndryshim të komunave tona. Në veçanti komunat shqiptare në vend, dekada me radhë po përballen me probleme të ndryshme të cilat as sesi nuk po mund të zgjidhen. Partitë politike gjithmonë bëjnë premtime boshe, dhe më pas hidhen në luginën e mjerimit dhe të harresës në atë se çfarë kanë thënë. Komunat tona hasen në probleme esenciale për jetë nisur nga mungesa për ujë, asfaltime, kanalizime, shkollat janë në gjendje të mjerueshme, nuk ka çerdhe për fëmijët, papunësia çdo vit e më shumë fillon dukshëm të rritet, të rinjtë pas studimeve braktisin vendin shkaku i papunësisë dhe padrejtësisë . Shkollat e tona fillore dhe të mesme u mbushën me mësues dhe pedagog të padiplomuar, partitë politike për interesa personale kanë dëmtuar mjaftë shumë edhe arsimin e vendit tonë, duke punësuar aktivistët e tyre në institucionet e arsimit. Rinia në përgjithësi ka mungesë në sfera të ndryshme por gjithsesi në këto zgjedhje nuk është se pritet ndonjë ndryshim”, ka deklaruar Emira Selimi, aktiviste.

    Të rinjtë janë të mendimit se shoqëria e tyre është e ngarkuar me probleme të shumta dhe manifestojnë optimizëm të matur kur bëhet fjalë për pritshmëritë e tyre për zhvillimin e gjendjes ekonomike e sociale. Prej tyre në përgjithësi thonë se kur u jepet një shans dhe besim, dhe kur pajisen me aftësitë e nevojshme për të qenë udhëheqës në komunitetet e tyre, ata kanë potencial të jashtëzakonshëm për kreativitet, inovacion dhe ndryshim.

    Ndërkohë opinionisti Rilind Dauti për gazetën KOHA thotë se rinisë në përgjithësi i nevojitet një bagazh i thellë i kërkesave të tyre. “Rinisë i nevojiten shumë gjëra, duke filluar nga shtigje për biçikleta që nuk përdoren, për parkim të veturave, etj. Rinisë i nevojiten fusha dhe qendra sporti që janë publike me hyrje falas, apo me çmim të ulët që nuk i dekurajon njerëzit nga shfrytëzimi i tyre. Dhe pasi të ndërtohen, këto qendra të mirëmbahen nga autoritetet lokale në vend se të braktisen dhe t’i kapë entropia. Diçka tjetër shumë e mirëseardhur do të ishte zënia, kastrimi, dhe pastaj lirimi i tyre, si zgjidhja më humane për zhdukjen graduale të problemit me qentë endacakë për të cilët janë të brengosur shumë të rinj. Dhe diçka që edhe sikur nuk do të përdoreshin nga të rinjtë, prapëseprapë ekzistenca e tyre do t’i gëzonte shumë të rinj, është vendosja e mbushësve publikë për veturat elektrike që herdo-kurdo do t’i zëvendësojnë veturat me karburant”, thekson Dauti.

    Nga hulumtimet më të fundit të UNICEF -it tregon se të rinjtë në Maqedoni të Veriut ndihen të përjashtuar dhe kanë mundësi të kufizuara për të udhëhequr ndryshimin ose një sistem reformues për një të ardhme më të mirë për veten dhe brezat e ardhshëm. Edhe pse partitë politike nëpërmjet strukturave së hierarkive të tyre çdoherë kanë pohuar që në plan-programet e tyre politike, rinia ka pasur rëndësi të veçantë sidomos në rrjetin reformues të politikave edhe pse anketimet e të rinjve nuk e mbështesin një mendim të këtillë./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Jeta në pandemi: Të përgatitemi për bashkëjetesë me Covid-19

    Lajmi i rradhës

    Inspektorët në terren, kontrollohet zbatimi i masave të reja anti-Covid

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë