Jetesa në RMV rëndohet dita-ditës

    Serbia prej të mërkurën më 13 shtator deri më 31 dhjetor të këtij viti do të zvogëlojë çmimet e 20 artikujve për konsum në amvisëri. Ndër të tjerash ulet kostoja e më shumë prodhimeve për higjienë personale si dhe qumështi, jogurti, djathi, makaronat, mollët, sallamet, mishi i pulës dhe pijet joalkoolike.

    Qeveria në Beograd ka arritur marrëveshje me supermarketet më të mëdha që mbulojnë 80 për qind të tregut për uljen e këtyre çmimeve për prodhimet që i shfrytëzojnë të gjithë amvisëritë. Marrëveshjen e kanë mbështetur edhe prodhuesit. Pritet që të intervenohet edhe ndaj çmimeve të tregtarëve të mëdhenj. Masat ndërmerren për të zbutur rritjen e çmimeve ku në shtetin fqinj, inflacioni vetëm në korrik ka qenë 12.5 për qind.

    Edhe në Maqedoni në periudhën e kaluar janë ndërmarrë masa të ngjashme por të përkohshme, si në subvencionimin e rrymës për prodhuesit e ushqimeve, ngrirjes së çmimeve të produkteve themelore ushqimore, uljes së çmimeve të derivateve të naftës. Përskaj rritjes së pagave prej 10 për qind për të punësuarit në sektorin publik me pagën e shtatorit, rritjen e pagës minimale, tarifës së lirë të rrymës prej dhjetorit, rritjes së pensioneve dhe masave tjera, ekzekutivi pritet që së shpejti të publikojë masat e radhës anti krizë të vlefshme mbi 70 milionë euro. Ministri i Financave, Fatmir Besimi paralajmëroi se Qeveria së shpejti do ta shpallë pakon e nëntë të masave kundër krizës, për të cilën aktualisht janë në dispozicion 4,55 miliardë denarë. Pakoja, siç tha ai, do të jetë në drejtim të përballimit më të lehtë të sfidave të krizës së çmimeve dhe energjisë për qytetarët dhe kompanitë.

    “Kjo do të thotë se vazhdon subvencionimi i energjisë elektrike për amvisëri dhe ngrohje në seksionin e Elektroekonomisë. Mjetet janë të mjaftueshme, ndërsa po punohet për paketën e nëntë të masave kundër krizës. Po ashtu, do të bëhet edhe targetimi deri në fund të vitit, për të mbështetur kategoritë më të cenueshme”, thekson Besimi.

    Nga Lidhja e Sindikatave thonë se edhe pse inflacioni është në rënie nga muaji në muaj dhe për korrikun ka arritur në 8.3 për qind, megjithatë shporta minimale është rritur nga muaji paraprak për 725 denarë.

    Vlera e shportës sindikale për gusht 2023 është 49.345 denarë, njoftoi Sindikata e Maqedonisë.

    “Atë rritje e pësojnë punëtorët dhe qytetarët në këtë vend, rritja më e madhe është tek ushqimet dhe pijet me 1.9 për qind”, thonë nga Sindikata.

    Përllogaritjet e sindikatës tregojnë se vetëm për ushqim dhe pije në gusht janë nevojitur 20.384 denarë apo 331 euro për të kapërcyer muajin, që kushtojnë pothuajse gjysmën e vlerës së të gjitha nevojave mujore. Apo shporta konsumatore vetëm për ushqime përbën afër 45 për qind të totalit të harxhimeve mujore.

    Nga ana tjetër, statistika zyrtare ka përllogaritur rritje të indekseve të kostos së jetesës për 8.3 për qind dhe shtrenjtime me 5.3 për qind të çmimeve me pakicë në gusht të këtij viti në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Shtrenjtime janë vërejtur te frutat e freskëta me 7.8 për qind, djathi dhe gjiza me 3.2 për qind, qumështi me 2.6 për qind, buka dhe drithërat me 1.6 për qind, etj. Në muajin gusht, rritje e indekseve të kostos së jetesës është vërejtur edhe te lëndët djegëse të lëngëta për amvisëritë me 11.4 për qind. Nga Organizata e Konsumatorëve presin përskaj kontrolleve më të mëdha në dyqane edhe ngrirje të çmimeve që do të jenë në favor të konsumatorëve, por jo edhe në dëm të biznesit. /koha/

    Lajmi Paraprak

    BE të ndihmojë Ballkanin kundër dezinformatave ruse

    Lajmi i rradhës

    Asnjë rom nuk është pranuar në Fakultetin e Mjekësisë!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë