Jo vetëm Maqedonia, edhe Ballkani po plaket

    Trendi shqetësues i plakjes së popullsisë vazhdon të prekë vendet e Ballkanit. Ritmet negative të shtimit të popullsisë janë duke e thelluar hendekun mes lindjeve të reduktuara në numër dhe vdekjeve. Po të krahasohen të dhënat mes vendeve të rajonit vihet re se mosha mesatare e popullsisë është më e re në Kosovë dhe më e vjetra në Kroaci. Maqedonia e Veriut renditet në mes me moshë mesatare të popullsisë – mbi 40 vjeç. Ndërsa vendet si Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, apo Serbia renditen të parat sa i takon shtimit natyror negativ, të pasuara nga Maqedonia e Shqipëria. Dallimin e bën Kosova, ku shtimi nataliteti ka të tjera ritme.

    Vitin e kaluar Kosova regjistroi trefish lindje më shumë sesa vdekje, duke e renditur si vendin e parë në rajon. Vitin e kaluar Kosova regjistroi mbi 31 mijë lindje (dhe vetëm mbi 11 mijë vdekje), që do të thotë se me këtë trend nataliteti, Kosova llogaritet si vendi me popullsinë më të re në rajon, me moshë mesatare të popullsisë – 30.5 vjeç. Një tjetër vend me moshë mesatare të popullsisë është Shqipëria – rreth 36.5 vjeç. Gjatë vitit 2022 edhe Shqipëria shënoi bilanc pozitiv të lindjeve në raport me vdekjet, u lindën mbi 23 mijë foshnje, ndërsa u regjistruan mbi 22 mijë vdekje. Ndërsa gjatë vitit 2022 Maqedonia e Veriut ka vijuar me raportin e zhdrejtë mes lindjeve dhe vdekjeve në vend. Sipas të dhënave zyrtare u regjistruan mbi 18 mijë lindje, ndërsa numri i vdekjeve ishte më i madh – mbi 22 mijë.

    “Sipas vlerësimit të fundit të popullsisë (më 31.12.2022), në RMV ka 1.829.954 banorë, që është 232.340 banorë ose 11.3% më pak krahasuar me vlerësimin e popullsisë në vitin 2012 dhe 245 347 persona ose 11.8% më pak krahasuar me 2017. Për sa i përket strukturës moshore popullsia po plaket. Në periudhën 2012-2022 pjesëmarrja e popullsisë së vjetër (65 e lart) u rrit nga 11.9% në 17.7%. Në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2022, numri i lindjeve është ulur për 5,495, dhe lindshmëria është ulur nga 11,4 ‰ në 9.9 ‰ (lindje për 1,000 banorë).”, thuhet në publikimin më të fundit të ESHS.

    Serbia është një tjetër vend i rajonit me trend edhe më negativ gjatë vitit të kaluar. Statistikat zyrtare të shtetit serb kanë regjistruar mbi 62 mijë lindje gjatë vitit të kaluar, ndërsa mbi 109 mijë vdekje. Mosha mesatare në Serbi është rreth 41.6 vjeç sipas Bankës Botërore. Në këtë parametër, Serbia është më mirë sesa Bosnjë e Hercegovina dhe Kroacia, por shumë “më e plakur” krahasuar me Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Ballkani kështu po i afrohet vendeve të tjera evropiane sa i takon moshës mesatare, ku në vendet e BE në vitin 2022 ishte 44.4 vjeç, një rritje prej gati gjashtë vjetësh, krahasuar me shifrat e 20 viteve më parë. Pavarësisht rritjes absolute të popullsisë në 17 shtete anëtare të BE-së, shtatë vende ndjekin trendin e kundërt, duke përfshirë ulje të ndjeshme në Itali, Poloni, Greqi dhe Kroaci. Italia kishte moshën mesatare më të lartë në mesin e vendeve anëtare me 48 vjeç, Qiproja mbeti në fund me 38.3 vjet. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Pogba nuk e do largimin nga Juventusi

    Lajmi i rradhës

    Kafeja “helm” rreth liqenit të Ohrit!  

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë