Johnson jep dorëheqje nga partia, mbetet kryeministër tash për tash

    Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, të enjten ka dhënë dorëheqje nga posti i liderit të Partisë Konservatore. Në një fjalim drejtuar kombit, Johnson ka bërë të ditur se ka emëruar një kabinet qeveritar, kurse ai do të shërbejë si kryeministër i vendit derisa të zgjidhet pasuesi e tij.

    “Është e qartë tani se vullneti i Partisë Konservatore është që duhet të ketë një lider të ri të partisë dhe kryeministër”, ka deklaruar Johnson në adresimin nga zyra e kryeministrit.

    Njoftimi i Johnsonit u bë pasi më shumë se 50 zyrtarë britanikë dhanë dorëheqje nga postet e tyre.

    Tetë ministra, përfshirë edhe dy sekretarë të shtetit, kanë dhënë dorëheqje më 7 korrik, duke e lënë Johnsonin të izoluar dhe pa fuqi politike dhe duke e shtyrë atë që të njoftojë për dorëheqjen e tij.

    Në mesin e zyrtarëve që kanë dhënë dorëheqje janë edhe kancelari Nadhim Zahawi, i cili ishte emëruar dy ditë më parë. Ai tha se situata “nuk është e qëndrueshme dhe vetëm do të përkeqësohet”.

    Zahawi ishte emëruar pasi Rishi Sunak u dorëhoq dhe tha se nuk mund ta mbështeste më Johnsonin për shkak të një serie të skandaleve etike.

    Po ashtu, sekretari për Irlandën, Brandon Lewis, është në mesin e politikanëve që janë dorëhequr.

    Pakënaqësitë në kabinetin e Johnsonit u shfaqën pas disa zbulimeve së fundmi lidhur me sjellje të papërshtatshme seksuale të ligjvënësit konservator Chris Pincher dhe u raportua se Johnson ishte në dijeni të këtyre ndodhive.

    Javën e kaluar, Pincher dha dorëheqje pasi dolën ankesa se ai kishte ngacmuar dy burra në një klub privat. Kjo nxiti një seri raportimesh për pretendime në të kaluarën ndaj Pincherit. Menjëherë pas zbulimit të këtij skandali nisën edhe dorëheqjet e para nga kabineti i Johnsonit.

    Johnson i kishte mbijetuar një mocioni mosbesimi më 6 qershor të ngritur nga Partia Konservatore, edhe pse 41 për qind e ligjvënësve votuan që ai të largohej nga detyra.

    Johnson erdhi në pushtet më 2019, pasi shënoi fitoren më të madhe që kishte përjetuar Partia Konservatore.

    Lajmi Paraprak

    Cramon: Ka ardhur koha që BE-ja të përshpetojë veprimet e saj ndaj Maqedonisë së Veriut

    Lajmi i rradhës

    MMPT garon në zgjedhjet e këshillit komunal në Tetovë, Elmedina Abdulahi bartëse liste

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë