Maqedonia e Veriut duhet të ketë një kuptim më të thellë të vlerave evropiane dhe të respektojë të drejtat e njeriut dhe të drejtën e shprehjes, bëri thirrje nënpresidentja e Bullgarisë, Iliana Jotova, e cila foli sot në një tryezë të rrumbullakët në Qustendil me temën “Bullgarët në Ballkan përtej kufirit pas vitit 1878”.
Sipas zëvendëspresidentes bullgare, është e papranueshme që një vend të tolerojë mosrespektimin e të drejtave të njeriut dhe nëpërkëmbjen e të drejtës së shprehjes. Ajo shtoi se negociatat e anëtarësimit me BE-në nuk do të përfundojnë nëse ndonjë vend konsideron se nuk respektohen të drejtat e njeriut të përfaqësuesve të kombeve dhe etnive të ndryshme.
Ajo iu referua edhe Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, për të cilën tha se në vend të zbatimit, gjithçka shkon në drejtim të kundërt nga ajo e fqinjësisë së mirë.
“Agresioni është i pafalshëm, jo vetëm verbalisht, por edhe kur dhuna maskon një koncept të vazhdueshëm dhe thellësisht të gabuar dhe, aq më tepër, dështimin për të zbatuar angazhimet ndërkombëtare të ndërmarra tashmë,” tha Jotova.
Jotova shprehu shpresën se Maqedonia do të përparojë në rrugën e saj drejt unionit dhe kjo, siç tha ajo, do të jetë e mundur vetëm nëse Shkupi i përmbush premtimet ndërkombëtare dhe heq dorë nga gjuha e urrejtjes.