Gjatë një interviste në edicionin qendror të lajmeve në Alsat, u trajtua një çështja e mundësimit dhe e organizimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Në këtë kontekst, juristi Ibrahim Bajrami dha një sqarim të detajuar lidhur me bazën ligjore që e mundëson një gjë të tillë duke sqaruar se kjo e drejtë buron nga ligji për përdorimin e gjuhëve i cili u miratua me 14 janar 2019, dhe i cili hyri në fuqi tetë ditë pas shpalljes në gazetën zyrtare, duke shtuar se ligji ka një gamë të gjerë zbatimi dhe përfshin edhe përdorimin e gjuhës shqipe në këtë proces.
Në pyetjen e gazetarit se, a është e mundur që në RMV, provimi i jurisprudencës të organizohet në gjuhën shqipe?, ai u përgjigj:
“Absolutisht që po, kjo e drejtë buron nga ligji për përdorimin e gjuhëve i cili u miratua me 14 janar 2019, dhe i cili hyri në fuqi tetë ditë pas shpalljes në gazetën zyrtare. Kështu i formësuar, ligji ka një gamë të gjerë zbatimi ku 20 % në nenin dy taksativisht ceket se ka të bëje me gjuhën shqipe. Në të njëjtën kohe, temë debati mund të jetë edhe ligji i fundit për provimin e jurisprudencës i cili u miratua në fund të vitit 2019 dhe ka hyrë në fuqi në dy janar 2020. Ligji për jurisprudencë është miratuar pas miratimit të ligjit për zbatimin e gjuhëve dhe në këtë frymë është dashtë që të potencohet që në përputhje me ligjin për zbatimin e gjuhëve edhe ligji i jurisprudencës të jetë i inkorporuar e drejta e 20 %, gjegjësisht përdorimi i gjuhës shqipe gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës,” deklaroi Ibrahim Bajrami – jurist.
I pyetur sa qëndrojnë arsyetimet e ministrit të drejtësisë, Igor Filkov, i cili thotë se nuk mund të cenohet as kushtetuta dhe as standardet ndërkombëtare, si dhe qëndrimi i kryeministrit Hristijan Mickoski se duhet të respektohen standardet ndërkombëtare, duke iu referuar gjuhës në të cilën jepet provimi i jurisprudencës, juristi Bajrami u shpreh se argumentet e skeptikëve, sipas të cilëve provimi duhet të jepet vetëm në gjuhën maqedonase për shkak të angazhimeve të ardhshme në gjyqësor, prokurori apo institucione të tjera nuk qëndrojnë. Ai theksoi se dhënia e provimit të jurisprudencës është një mbindërtim akademik dhe, formalisht, shërben si një hap për të vazhduar më tej në karrierë.
“Në paraqitjen e fundit të kryeministrit me aq sa kuptova, në lidhje me përdorimin e gjuhës shqipe gjatë dhënies së provimit të jurisprudencës, unë më shumë e kuptova si një pritje nga ai, nga ekspertet e fushës juridike t’i sqarohet se si është i zbatuar ligji për përdorimin e gjuhëve, nuk ishte as pro e as kundër por vërejta se ishte në pritje të pranimit të argumenteve. Skeptiket thonë se një ndër arsyet se perse duhet që provimi i jurisprudencës të jepet vetëm në gjuhen maqedonase është për shkak se pas dhënies së këtij provimi ata persona përgatitën që të punojnë në gjyqësor, prokurori, avokaturën e shtetit etj. ky argument nuk qëndron, për shkak se dhënia e provimit të jurisprudencës është mbindërtim akademik dhe ka të bëjë me mbindërtimin akademik, formalisht ajo është rrugë kaluese për të ndjekë hapat të tjera në karriere,” tha Bajrami. /Nistori/






