Kalaja e Shkupit do vazhdojë të presë

    Edhe pse ka shtatë vjet që kërkimet arkeologjike janë mbyllur, Kalaja e Shkupit është një projekt i papërfunduar. Artefaktet e zbuluara duhej të ekspozoheshin në muzetë, ndërtimi i të cilëve po ashtu mbeti në tentativë. Elaborati për shpalljen – monument kulture ka disa vite që po punohet dhe sipas ministres së kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, është gati, por duhet që Qeveria të japë pëlqimin e më pas atraksioni turistik të menaxhohet si duhet nga shteti.

    Për Kalanë e Shkupit, Qeveria duhet të marrë vendimin që të shpallet trashëgimi kulturore e një rëndësie të veçantë, nënkategoria e rëndësisë së veçantë, pasi institucioni kompetent Qendra për Konservim – Shkup përgatiti elaboratin i cili është miratuar nga Këshilli Nacional për Trashëgiminë Kulturore. Më pas, do të hartohet dhe miratohet Plani i Menaxhimit për Kalanë e Shkupit, me të cilin ky lokacion do të prezantohet dhe promovohet si duhet për gamën e gjerë të vizitorëve vendas dhe të huaj”, ka deklaruar ministrja.

    Punimet arkeologjike filluan në vitin 2006 dhe u mbyllën dhjetë vjet më pas, pas zbulimit të mbi 13 mijë artefakteve. Një pjesë qëndrojnë të grumbulluara në Muzeun e Qytetit, por ka edhe objekte që qëndrojnë në hyrje të kalasë. Ngërçi gjatë procesit të revalorizimit të monumenteve të trashëgimsië në vite është reflektuar me vënien në rrezik të një pjese të madhe.

    Pengesat burokratike, mungesa e kuadrove, apo edhe e ndryshimeve adekuate në Ligjin për trashëgiminë, po mbajnë peng prej vitesh monumentet e kulturës. Për rrjedhojë Drejtoria e Mbrojtjes së trashëgimisë kulturore ka arritur të shpallë “monumente të një rëndësie të veçantë” në nënkategori të ndryshme brenda gjashtë viteve të fundit shumë pak objekte. Këtë vit asnjë, ndërsa vitin e kaluar vetëm Shtëpia e Oficerëve në Manastir, në vitin 2021 vetëm Akuaduktin në Shkup (2021). Ndërsa Xhaminë e Larme në Tetovë (2017), Kishën Shën Gjorgji në Nagoriçan (2017), Shtëpinë e Llazar Liçenovskit në Shkup (2017), Manastirin Shën Andrea në Saraj-Matkë (2018), Lokalitetit arkeologjik Heraklea në Manastir (2018).

    “Mbrojtja e trashëgimisë kulturore është prioritet i MK dhe Qeverisë. Është një sferë që është krenaria jonë, shenjë e historisë dhe kulturës sonë të pasur. Ne kemi një trashëgimi kulturore të stërmadhe dhe të paçmuar, e cila përveç përfitimeve që na ofron, është edhe detyrimi ynë për ta ruajtur dhe mbrojtur atë, për ta mbajtur gjallë dhe të vetëqëndrueshme, e cila kushton shumë burime financiare, kërkon modele të reja menaxhimi, seriozitet në qasjen e mirëmbajtjes dhe krijimit të një stafi të ri. Të vetëdijshëm për të gjitha çështjet e hapura, ne punojmë me ekspertë nga vendi ynë dhe me konsultime ekspertësh nga shoqata dhe fonde të huaja”, thotë ministra e kulturës.

    Sipas saj prioritare për këtë vit janë punimet në kishën në kompleksin manastiri në Mateç, ku po punohet për mbrojtjen parandaluese të çatisë, kurse mbrojtja përfundimtare e kulmit është planifikuar për vitin e ardhshëm. Si edhe disa objekte të tjera, në Kurbinovo, e të tjera. /koha/

    Lajmi Paraprak

    PARLAMENTI DYDHOMËSH | Klimovski: Ideja e Taravarit na çon drejt federalizimit

    Lajmi i rradhës

    Maqedonia e Veriut e fundit me rritje ekonomike

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë