Maqedonia e Veriut e fundit me rritje ekonomike

    Maqedonia e Veriut sivjet me një rritje ekonomike prej 1.6 për qind, do të jetë më e mirë vetëm se ekonomia e Serbisë me rritje ekonomike prej 1.5 për qind. Shtetet e tjera të rajonit do të kenë rritje më të madhe ekonomike. Parashikimet e Institutit Ekonomik të Vjenës thonë se Mali i Zi me 4.5 dhe Shqipëria me 3.5 për qind, sivjet do kenë ecuri më të mirë ekonomike nga të gjitha shtetet e tjera të rajonit. Me një rritje ekonomike prej 3.3 për qind mund të lëvdohet Kosova, përderisa Bosnje e Hercegovina do të ketë rritje prej 1.7 për qind. Nga shtetet e tjera të rajonit Bullgaria do të ketë 1 për qind, Kroacia 2.5 për qind, Hungaria minus 0.5 për qind, Sllovenia 1.5 për qind, ndërsa Rumania do të ketë rritje prej 2.5 për qind. Instituti vjenez vlerëson se shtetet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore edhe përskaj presionit ndaj sfidave të shkaktuara nga lufta në Ukrainë , gjenden nën presion, përderisa gjasat për rritjen ekonomike në Evropën Juglindore janë më të mira , thuhet në parashikimin e vjeshtës së Institutit.

    “Recesioni në Gjermani, përkeqësimi i mjedisit ndërkombëtar, inflacioni në vazhdimësi i lartë, politika më e rreptë monetare dhe masat e pamjaftueshme të politikës fiskale e rëndojnë rritjen ekonomike”, thotë Branimir Jovanoviq, ekonomist nga Instituti i Vjenës dhe autori kryesor i parashikimit vjeshtor.

    Për Maqedoninë në vitin 2024 dhe 2025 parashikohet rritje ekonomike prej 2 dhe 2.5 për qind, ndërsa të njëjta janë edhe parashikimet për Serbinë. Shqipëria me 3.6 dhe 3.7 për qind do të vazhdojë të ketë shkallë të larta të rritjes ekonomike edhe në dy vitet e ardhshme. Kosova parashikohet që të ketë rritje prej 3.3 dhe 3.7 për qind, Mali i Zi prej 2.9 dhe 3 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina pritet të ketë rritje ekonomike prej 1.9 dhe 2.1 për qind në dy vitet e ardhshme.

    Nga ky institut thonë se për vitin e ardhshëm mbeten rreziqe të rëndësishme negative.

    ”Një rënie më e mprehtë në zonën e euros, normat e larta kokëforta të inflacionit, përshkallëzimi ushtarak në Ukrainë ose një lufta tregtare e intensifikuar midis BE-së dhe Kinës mund të rrezikojë rimëkëmbjen në vitin e ardhshëm”, paralajmëron Jovanoviq.

    Një rritje pak më e lartë e mesatares rajonale sivjet pritet në Kroaci dhe Rumani, anëtare të Bashkimit Evropian me 2.5 për qind secila. Ata dy anëtarë të BE-së, sipas analistëve, mund të falënderojnë pjesërisht rritjen e tyre edhe parave nga fondi i gjeneratës tjetër të BE-së, i cili duhet të korrigjojë pasojat e pandemisë së virusit korona. Vlerësohet se vendet e Evropës Juglindore mund të sjellin dinamikë pozitive edhe në ekonominë austriake. “Përkundër situatës së vështirë, lidhjet e ngushta ekonomike të Austrisë me ato vende mbështesin rritjen e saj ekonomike dhe zbusin dobësinë aktuale ekonomike”, vlerëson Jovanoviq.

    Edhe pse inflacioni në të gjitha vendet e atyre pjesëve të Evropës tashmë ka tejkaluar kulmin e tij, ai do të vazhdojë të mbetet i lartë për disa kohë. Motori kryesor i inflacionit është rritja e çmimeve të ushqimeve, e cila çon në rritjen e problemeve sociale. Gjithashtu thuhet se të ardhurat e kompanive në rajon janë në nivel historik të lartë, por që për herë të parë janë në rritje edhe fitimet e tyre. Nëse kompanitë i përgjigjen kësaj me rritje të reja çmimesh, kjo vetëm do të zgjasë inflacionin, thuhet në raportin e Institutit Vjenez. /koha/

    Lajmi Paraprak

    Kalaja e Shkupit do vazhdojë të presë

    Lajmi i rradhës

    8 VITE ASNJË LËNDË ME EPILOG GJYQËSORË!

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë