Kaliqi: dezinformatat, kryesisht kanë qëllime politike për të ndryshuar opinionin publik

    Cilat janë shkeljet më të shpeshta të Kodit Etik të Gazetarëve dhe tendencat më të theksuara të përhapjes së dezinformatave përmes mediave? Për këto çështje, “Poligraf” bisedoi me Leunora Kaliqin, kryetare e Bordit Drejtues të Këshillit Etik për Media (KEMM).

    Poligraf: Në çfarë tema më së shumti ju pranoni ankesa apo raportime për dezinformata?

    Kaliqi: Po Era, siç edhe përmende, vetë funksioni i Këshillit Etik për Media është monitorimi i të gjitha atyre mediave, të cilat shkelin rregulloren, apo Kodin Etik të Gazetarëve. Dhe, në bazë të statistikave të fundit, të cilat i kemi për vitin 2023 në Komisionin e Ankesave, kishim të parashtruara 132 ankesa, që është një numër në rritje, që flet për faktin se kemi shkelje të rregullave etike dhe profesionale.

    Mirëpo, nga ana tjetër, na inkurajon fakti që 53 ankesa janë dërguar nga vetë qytetarët, kështu që ngritët vetëdija e qytetarëve për t’i paraqitur edhe vetë mediat, të cilat i bëjnë këto shkelje të rregullave. Dhe, mund të them lirshëm se, pasi që i kemi numrat, 110 nga ato ankesa kanë të bëjnë me mediat onlajn. Pra, shkelësit më të mëdhenj të rregullave etike dhe profesionale, të Kodit Etik të Gazetarëve gjegjësisht, janë mediat onlajn.

    Kjo nuk do të thotë se ato janë të qëllimshme. Ju e dini që kemi edhe misinformacione që janë të përgjysmuara, apo informacione të cilat vetëm transmetohen apo shpërndahen nga media, por pa i verifikuar faktet dhe pa qenë pala tjetër e përfshirë.

    Kur jemi te pala tjetër, në këtë numër flitet për rreth 40% – 37% të ankesave kanë të bëjnë me shkeljen të nenit 1 të Kodit Etik të Gazetarëve, që do të thotë – nuk ekziston pala e dytë. Këtu mund të kemi të përfshira, ju e dini, palën e tretë dhe të katër, por gjithsesi, patjetër duhet ta kemi një palë të dytë. Dhe, kur mungon pala e dytë në një informacion, atëherë lë hapësirë që ky informacion të jetë dezinformatë.

    Dezinformatat, ju e dini që kanë qëllim të caktuar të fuqive të mëdha, politike kryesisht, për të çuar në fund apo për të arritur qëllimet e tyre, për të ndryshuar opinionin publik, dhe ato nuk punojnë në interesin publik.

    Prandaj, edhe vetë gazetarët dhe mediat duhet të jenë vigjilent dhe duhet të verifikojnë informacionet të cilat i marrin, pasi që ato mund të bëhen edhe pa qëllim, pra shpërndarja e tyre.  Por, duhet të verifikohen ato fakte dhe çdoherë duhet të kemi një palë të dytë, për të pasur një informacion të saktë dhe të drejtë.

    Kur flasim për nenin 1 të Kodit të Gazetarëve, keni parasysh se aty janë të përfshira objektiviteti, saktësia, paanshmëria, të cilat janë parimet bazë, themelore të gazetarisë të cilat duhet patjetër të respektohen. Dhe, nëse kemi një shkelje kaq të madhe të nenit 1 të Kodit të Gazetareve, këtu mund të flasim për një tendencë në rritje, kur jemi edhe para fushatës zgjedhore – një tendencë në rritje të partive politike dhe eksponentëve të tyre të përdorin informatat apo dezinformatat për arritjen e qëllimeve të tyre.

    Lajmi Paraprak

    OKB: Maqedonia e Veriut ndër më të palumturat në Ballkan

    Lajmi i rradhës

    Osmani i kundërpërgjigjet Hillit: vetëm Rusia është më larg NATO-s sesa Serbia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë