Kalon në haresë vlerësimi i prokurorëve dhe gjykatësve

    Pastrimi i gjyqësorit është prioriteti numër një për vitin 2021. Kjo ishte parulla e Qeverisë, kur vitin e kaluar shpalli metodën e pastrimit të gjyqësorit dhe prokurorisë. Më 30 dhjetor, një ditë para Vitit të Ri, Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, i shoqëruara nga kryetari i atëhershëm i Këshillit Gjyqësor Kiro Zdravev dhe Prokurori i Shtetit Lubomir Jovevski e paralajmëruan procesin. Tetë muaj më vonë, asnjë prokuror nuk është vlerësuar. Procesi ka ngecur, edhe pse vlerësimi është shpallur me pompozitet si prioriteti kryesor. Prokurori i shtetit për Alsat thotë se kanë pasur prioritet tjetër.

     “Deri më tani janë vlerësuar vetëm ata që kanë konkurruar për prokuroritë e larta dhe prokurorinë e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Procesi i paralajmëruar do të vazhdojë me shpejtësi pas pushimeve”- deklaroi Lubomir Jovevski, Prokuror i Shtetit.

    Por, çfarë paralajmëroi Jovevski para Vitit të Ri. Tha se vlerësimi i prokurorëve do të fillojë më 1 janar të këtij viti dhe ata do të vlerësohen në bazë të raporteve gjashtëmujore. Gjashtë raste do të merreshin parasysh. Tre që do t’i rekomandojë prokurori dhe tre me zgjedhje të rastësishme. Edhe atëherë u theksua se nuk ka asgjë të re në metodologji, sepse pastrimi i gjyqësorit do të bazohet në zgjidhjet ligjore ekzistuese. Jovevski atëherë u përgjigj:

    “Nuk pajtohem se në këto gjëra nuk ka asgjë të re, sepse siç e theksova më parë, përgjegjësia e prokurorëve është shtrënguar dhe kemi procedurë të qartë në drejtim të përcaktimit të sjelljes së tyre profesionale dhe efikase.”- pohoi Ljubomir Jovevski, Prokuror i Shtetit.

    E pyetëm Ministrinë e Drejtësisë, pse Prokuroria nuk e filloi procesin e vlerësimit – prioritetin kryesor të kësaj Qeverie dhe një nga premtimet kryesore për pastrimin e gjyqësorit.

    Ministria e Drejtësisë

    “Këshilli Gjyqësor deri më tani ka shkarkuar gjithsej 16 gjykatës të cilët janë konstatuar se kanë vepruar në mënyrë joprofesionale ose jo të përgjegjshme. Disa prej tyre kanë mbajtur poste drejtuese në gjyqësor në të kaluarën. Presim që ky proces të vazhdojë me ritëm të përshpejtuar në të ardhmen, ndërsa e njëjta dinamikë të ndiqet nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, pra procesi edhe në prokurori të zhvillohet si në gjyqësor.”

    Megjithatë, edhe pse Ministria e Drejtësisë pret një ritëm dinamik në përcaktimin e veprimit të mundshëm joprofesional të prokurorëve, procesi është zero. Nga metodologjia e paralajmëruar, deri më tani asnjë prokuror nuk është shkarkuar, sepse ata nuk janë vlerësuar në përputhje me paralajmërimet dhe premtimet. Deri më tani, te Këshilli i Prokurorëve nuk ka arritur asnjë vlerësim i prokurorëve, përveç atyre që aplikojnë për poste më të larta.

    Lajmi Paraprak

    Si vepron aurikulo-terapia ose terapia e veshit me minigjilpëra

    Lajmi i rradhës

    Një grua myslimane në krye të policisë së New York-ut

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë