Kandidatët pasqyrojnë mendësinë e partive

    Zgjedhjet lokale shihen si afat i fundit që partitë politike shqiptare përfundimisht t’i ofrojnë popullit njerëz me ide, mendime dhe koncepte të reja, e jo të riciklohen kuadrot e njëjta që janë në skenë tani e disa vite, pa treguar asnjë rezultat konkret. Njohësit e rrethanave politike për gazetën KOHA, komentojnë “mitin”, e krijuar nga partitë politike në të kaluarën duke mos propozuar njerëz me bagazh intelektual, por duke ia ofruar popullit vetëm të dëgjueshmit e kryetarit të partisë.

    Gazetari Nazim Rashidi për KOHA thotë se çdo parti kur propozon kandidatët, në fakt edhe shfaq mendësinë e saj. Sipas tij ajo që duhet të bënin është të ishin kandidatë me ide moderne, që përputhen me nevojat e kohës. “Të ishin kandidatë që do sillnin një dinamikë urbane të qyteteve, që më në fund të ngjanin si të tilla. Kjo është kërkesa e qytetarëve, partitë ndërkohë nuk është se nuk i marrin parasysh këto, por bëjnë një ‘balans’ mes individëve popullor dhe kush është më partiaku prej tyre. Në këtë kalkulim interesi qytetar përherë dëmtohet. Megjithatë problemi më i madh është, mungesa e shfaqjes së një vizioni për qytetet. Emrat mund të ishin kush do, ata si parti kanë të drejtë të ofrojnë cilin do anëtar, sado mos u pëlqejë qytetarëve, por ne nuk shohim ende ofertën. Mungesa e ofertës, si do ta realizojnë atë që premtojnë, sa të besueshme do jenë premtimet, këtu duhet pasur vëmendjen”, ka deklaruar për KOHA, gazetari Nazim Rashidi.

    Nga ana tjetër, analisti politik, Blerim Hyseni thotë se vetëdija qytetarë është ngritur dhe partitë do të kenë shumë kujdes se me cilët kandidatë do të garojnë në zgjedhjet lokale. Ai thotë se partitë po bëjnë anketa të shumta para se të zyrtarizojnë kandidatët e tyre. “Vlerësoj që tanimë edhe vetëdija qytetare është ngritur dhe jo çdo kandidat do mund të marrë besimin e tyre. Për këtë të vetëdijshme janë edhe partitë politike andaj vlerësoj që kjo do jetë arsyeja që partitë kanë bërë anketa e do bëjnë edhe më tej javëve të ardhshme me qëllim matjes së peshës së kandidatëve të mundshëm për kryetar komune. Vlerësoj që kësaj here do të kihet në konsideratë autoriteti i kandidatit nga ana e subjekteve politike sepse ato tanimë janë të bindura se është e vetmja mënyrë për të dalë fitues”, ka deklaruar për KOHA, Blerim Hyseni, analist.

    Deri më tani vetëm Partia Demokratike Shqiptare ka filluar të zyrtarizon kandidaturat për në disa Komuna, përkatësisht në Tetovë do të del me ish kryetarin e kësaj komune, Sadi Bexheti, në Studeniçan me kryetarin aktual, Azem Sadiku, në Çair me Misin Gradinaj, në Komunën e Likovës me Burhan Muratin, në Komunën e Tearcës me Daut Eminin, Në Komunën e Gostivarit me Frymzim Dautin, dhe në Komunën e Zhelinës me Medin Nazifi. Nga ana tjetër, Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, kohë më parë pati deklaruar se kjo parti në tre komunat që i udhëheqë tani, Gostivarë, Vrapçishtë dhe Bogovinë, do të garon me kryetarët aktual të komunave përkatëse, ndërsa për kandidatët në komunat tjera, do të bëhen vlerësime shtesë./Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Zaev: BE duhet ta respektojë fjalën e dhënë

    Lajmi i rradhës

    Pyjet e Amazonës tani më shumë lëshojnë dyoksid karboni sesa thithin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë