Në kohën kur kanë mbetur rreth tre muaj deri në zgjedhjet lokale, partitë politikeshqiptare ende nuk kanë zyrtarizuar emrat e kandidatëve të tyre me të cilat do të garojnë në zgjedhje. Edhe pse pritet që në këto zgjedhje, në kampin politik shqiptarë të ketë dy tabore, njëjtë sikur në zgjedhjet e fundit parlamtare dhe presidenciale, subjektet politike ende janë duke i bërë llogaritë e tyre në mënyrë që të dalin me mire në zgjedhje lokale.
Koalicioni i partive shqiptare në pushtet, VLEN ende po anketon kandidatët e mundshëm për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Këtë e njoftoi kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili theksoi se në bazë të rezultateve të anketave, brenda korrikut do të vendoset edhe përemrat përfundimtarë.
“Në bazë të dinamikës së paraparë edhe me agjencinë që merret me këtë çështje, por edhe me liderët politik brenda VLEN-it, presim që brenda korrikut ti kemi edhe emrat përfundimtarë”, është shprehur Kasami.
Ai thotë se ajo që tashmë dihet është përkrahja për Mendi Qyrën në Komunën e Strugës.
“Ajo që është e ditur se koalicioni VLEN, për momentin përkrah kandidatin e pavarur për Komunën e Strugës dhe në ditët në vijim kjo formë e përkrahjes deklarative, do të ketë hapa konkret. Me këtë ne tregojmë se më e rëndësishme për ne është se sa një kandidatë a është i koalicionit VLEN apo i një subjekti politik është që ai kandidat të jetë i pranueshëm për qytetarët dhe të jetë një kandidat që do tu shërbej qytetarëve, që në këtë rast ne vlerësojmë se Mendi Qyra është një kandidat i tillë”, theksoi Kasami.
Për Komunën e Kërçovës ende nuk është vendosur, priten rezultatet e anketimit, por nuk përjashton mundësinë as të përkrahjes së ndonjë kandidati të pavarur nëse ai është i duhuri për këtë qytet. Aithotë se VLEN funksionon si duhet dhe çdokush do të japë kontribut maksimal në mbështetje të kandidatëve të koalicionit. I pyetur nëse VMRO- DPMNE do të mbështesë VLENin në Tetovë, Gostivar dhe Çair, me faktin e VMRO-DPMNE nuk ka nxjerrë kandidatë në këto komuna, Kasami theksoi se pret bashkëpunim në zgjedhje me VMRO-DPMNE-në.
“Parimisht, si deri tani, ka një funksionim shumë korrekt mes partnerëve të qeverisë dhe në kuadër të këtij funksionimi sigurisht që ka gatishmëri për përkrahje të ndërsjellë në gjitha komunat ku do të garojnë kandidatë të koalicionit qeverisës. Nuk kemi folur për emra konkret, por ajo që është marrëveshje parimore është të kemi një bashkëpunim apo përkrahje të ndërsjellë”, theksoi Kasami.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, është shprehur se nuk e përjashton mundësinë që të kandidojë për kryetar të Çairit. Në emisionin “24 Analiza” ai tha se janë duke rrjedh anketat brenda partiake, Mexhiti tha se BDI po përgatitet ta nxjerrë kandidat Bujar Osmanin, ndërsa sipas tij, Komuna e Çairit është e rëndësishme për ta.
“Po analizojmë terrenin dhe dëshirojmë që të gjejmë zgjidhje më të mirë dhe në bazë të kësaj do të veprojmë. BDI dëshiron për Çairin ta kandidojë Osmanin dhe është e qartë se kandidatë tjetër nuk janë në lojë, ndërsa për ne është e rëndësishme ta fitojmë Çairin. Po bëhen analiza, nuk e përjashtoj mundësinë të kandidoj për kryetar të Çairit”, ka deklarur Mexhiti.
Edhe nga Fronti Evropian ende nuk kanë konkretizuar emrat me të cilët do të garojnë në zgjedhje lokale. Ky Front vetëm ka paralajmëruar zgjerimin e tij dhe transformimin në një Front Kombëtarë, në të cilinpritet të marrin pjesë BDI, ASH e Ziadin Selës dhe ajo e Arben Taravarit dhe partitë politike tjera që janë pjesë përbërëse e Frontit Evropian.
Në një deklaratë të fundit para disa ditëve, kryetari i njërit krah të ASH-së, Arben Taravari theksoi se kandidat në komunë të Gostivarit pritet të jetë u.d kryetari aktual i kësaj komune, Valbon Limani, ndërsa tha se është i kënaqur nga bisedimet me BDI-në lidhur me ndarjen e komunave.
“Besoj se kemi marrë atë që kemi dëshiruar, por marrëveshjen ende nuk e kemi definuar. Nuk e kemi thënë ende numrin komunave, nuk e kemi definuar. E shohim, e bëjmë, nuk kemi një marrëveshje definitive, kur do ta kemi do ta njoftojmë para opinionit”, është shprehur Taravari.
Përderisa partitë politike shqiptare ende nuk kanë konkretizuar kandidatët për zgjedhje lokale, partitë kryesore maqedonase kanë bërë publike shumicën e kandidatëve me të cilët do të garojnë nëpër komuna. Ata madje, kanë “nisur” fushatën e tyre, duke akuzuar njëra tjetrën për kandidatët. VMRO-DPMNE thekson se kandidatët e LSDM-së nuk janë tëreformuar, por të ricikluar. Nga partia në pushtet theksojnë se kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe edhe njëherë ka dëshmuar se zaevizmi është narrativa me të cilën ai e udhëheqë partinë.
“Kandidatët e LSDM-së për zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë gjë tjetër veçse provë e gjallë se zaevizmi është ende narrativa që Filipçe po e udhëheqë partinë. Zgjedhja e kandidatëve është mesazhi më i qartë që një parti u dërgon qytetarëve. Në këtë rast, LSDM po dërgon një mesazh se, së pari, nuk është një parti e reformuar, që do të thotë se po i gënjen përsëriqytetarët. Dhe së dyti, se këta kuadro janë të njëjtët nga më parë, kuadro që njihen nëpër komuna për skandale dhe një reputacion të prishur. Kandidatët e Filipçes, ose të dyshes Filipçe-Zaev, janë njerëz që përfaqësojnë praktikat më të këqija në nivel lokal. Nuk pritet asnjë zhvillim prej tyre, as nuk mund të ketë ndonjë përfitim për qytetarët. Prej tyre pritet bindje”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndërsa nga ana tjetër, LSDM thanë se kandidatët e tyre i kanë përzgjedhur në bazë të një procesi mirë të analizuar.
“Ky proces përzgjedhjeje, ashtu si ai i mëparshmi, ndoqi të njëjtat kritere, analizën e rezultateve të anketës, biseda të shumta me anëtarët e organizatave komunale. Një proces vërtet gjithëpërfshirës që përfshinte shumë njerëz që kontribuan në propozimin e parë dhe më pas në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar komune”, theksojnë nga LSDM, nga ku theksojnë se në dy javët e ardhshme, rreth dy të tretat e kandidatëve për kryetar komune do të konfirmohen. /Koha/