Përderisa zgjat problemi me sallat e kirurgjisë në Qendrën Klinike në Shkup, vazhdon edhe makthi i 75-vjeçarit nga Shkupi R.M, i cili ka shkuar te mjeku për shkak të gangrenës në këmbë. Pasi “shëtiti” në gjashtë klinika dhe më në fund iu ofrua termin për ekzaminim pas një muaji, familja e tij kërkoi ndihmë në një klinikë private.
Ekzaminimet, regjistrimet dhe operacioni kushtojnë rreth 7 mijë euro.
“Askush nuk të pyet nëse ke të paguash apo jo. Pasi u operua shpejt, ai humbi vetëm gishtin. Përndryshe, ai së paku do të kishte humbur këmbën e tij”, tha një anëtar i familjes së tij për Radion Evropa e Lirë.
Udhëtimi i R.M. nisi pak ditë para datës 18 maj, kur sallat e operacionit u mbyllën zyrtarisht për shkak të një ere të pakëndshme.
Që atëherë, disa nga sallat punojnë me kompresorë të jashtëm dhe operohen vetëm pacientët që janë raste urgjente. Disa janë referuar në dy spitalet e tjera në Shkup, si ai “8 Shtatori” dhe “Shën Naum Ohri”.
Të gjitha operacionet e tjera shtyhen për një kohë të pacaktuar.
“Në fillim shkuam në urgjencën në Qendrën Klinike. As nuk e kanë ekzaminuar, ka pasur pacientë nga aksidente trafiku dhe urgjenca të tjera. Na dërguan në spitalin “8 Shtatori”, prej andej në kirurgji plastike, më pas në kirurgji torakale. Këtu e fashuan. Më pas ishte operacioni vaskular, ku na thanë se do ta thërrisnin kur të hapeshin repartet dhe të kishte vend. Kush me dhimbje mund të presë që të punojnë sallat e tyre dhe kur do të jetë kjo?”, pyetën familja e shkupjanit.
Në pritje të thirrjes për operacion është edhe nëna e shkupjanes Jasmina Bogdanovska. Ajo ka pasur termin të paracaktuar për kataraktin e syrit, por i thanë se tani nuk po bëhen operacione.
“Mamaja ime është në pension, nuk ka buxhet të madh, ndaj do të presë. Nuk është një operacion urgjent, por është i pashmangshëm përmirësimi i shikimit të saj. Shpresoj që së shpejti të na telefonojnë”, thotë Bogdanovska.
Shkak i kaosit në sallat e operacionit në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” janë problemet në instalimin e oksigjenit dhe në stacionin e kompresorit.
Operacionet e planifikuara do të shtyhen për të paktën tre muaj
Aleksandar Karevski, kirurg ortoped në spitalin “8 Shtatori”, thotë se fluksi i pacientëve nga spitalet tjera është dyfishuar.
“Po punojmë me të gjitha kapacitetet tona emergjente. Urgjentisht duhet operohet fraktura, gjithashtu abdomeni është urgjente… Kemi mjekë, por nuk kemi infermierë, teknikë instrumentesh, numri i shtretërve është i kufizuar. Ne mund të punojmë, kemi punuar kur ka qenë rasti “Llaskarca” dhe në pandeminë Covid, por sa mund të durojnë pacientët? Situata po bëhet kritike për pacientët”, tha Karevski për Radion Evropa e Lirë.
Ai vlerëson se operacionet e parapara do të shtyhen për të paktën tre muaj.
Ai apelon zgjidhjen e menjëhershme të problemit dhe si zgjidhje të përkohshme sugjeron përdorimin e shisheve mbi të cilat janë përshtatur për të punuar aparatet anestezion.
Kompresorë të jashtëm derisa priten rezultatet nga Gjermania
Ortopedët dhe traumatologët nga klinika TARMI (traumatologji, anestezi, reanimacion, mjekim intenziv dhe qendra emergjente) kanë filluar të veprojnë në katër nga gjashtë sallat e kirurgjisë, thotë Aleksandar Trajanovski, drejtor i klinikës për TARMI.
“Ne punojmë me kompresorë të jashtëm. Ne kryejmë 15-16 operacione në ditë. Përveç atyre urgjente, i kemi kthyer edhe pacientët me zgjedhje (të caktuar), që të mos na presin”, tha Trajanovski për Radion Evropa e Lirë.
Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Maja Manoleva, ka lëshuar urdhër që Klinikat Universitare, të cilat janë të vendosura në godinën e klinikave kirurgjikale në Qendrën Klinike, të fillojnë me punë me sallat e operacionit me kompresorë të jashtëm dhe përveç kësaj me enë me ajër të kompresuar.
Ministria e Shëndetësisë ka udhëzuar edhe klinikat që të marrin kompresorë të jashtëm.
Ndërsa Qeveria në seancën e datës 6 qershor vendosi që pajisja e stacionit qendror të kompresorit të zëvendësohet me një të re.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Demiri, në një konferencë për media më 27 maj tha se do të priten rezultatet e analizave në një laborator në Gjermani, të cilat duhet të përcaktojnë se çfarë e shkakton erën e pakëndshme në sallat e operacionit.
Rasti është paraqitur edhe në Prokurorinë Publike.
Kur do të mbërrijnë rezultatet nga Gjermania dhe nëse Prokuroria Publike do të hapë rast – për momentin nuk ka informacion.