Gjithnjë e më shumë rritet interesimi për investime në banesa kolektive në Tetovë. Përderisa qytetarët shohin kantiere ndërtimi në shumë zona të Tetovës, edhe të dhënat statistikore tregojnë një rritje të numrit të lejeve të ndërtimit që janë dhënë për banesa kolektive. Vetëm përgjatë bulevardit “Bllagoja Toska”, në një perimetër prej 3 kilometrave distancë ka tre kantiere të mëdha ndërtimit. Jo më larg se nga ky bulevard, në një pjesë të ish fabrikës Teteks në Tetovë ndërtohen komplekse banesore. Me kalimin e viteve, duket se investimi në banesa kolektive është rikthyer në një biznes profitabil për investitorët pasi që sipas të dhënave brenda dy viteve janë dhënë 42 leje për ndërtime kolektive në Tetovë.
Nga Sektori për Urbanizëm në Komunën e Tetovës kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2025 janë dhënë 55 leje ndërtimi, prej tyre, 19 janë dhënë për ndërtime të banesa kolektive, ndërsa 36 leje ndërtimi janë dhënë për shtëpi individuale. Pothuajse interesim i njëjte për ndërtim të banesave kolektive ka qenë edhe në vitin 2024.
Sipas të dhënave të shërbimit për informim të Komunës së Tetovës, në vitin 2024 gjithsej Sektori i Urbanizmit në Komunën e Tetovës ka dhënë 43 leje ndërtimi, prej të cilëve 37 për shtëpi individuale dhe 6 për ndërtime kolektive.
Aktualisht në Sektorin e Urbanizmit në Tetovë në procedurë janë 86 leje ndërtimi. Ndërtimi i ndërtesave kolektive në këtë periudhë ka bërë që edhe banesat të cilët ishin ndërtuar në vitet e 90-ta t`ju nënshtrohen mbindërtimeve për të përfituar një kat më shumë. Kryesisht, banesat që ishin ndërtuar në atë kohë janë bërë me më pak kate se sa në këtë periudhë që ndërtohen tash. Kështu, tani edhe në atë ndërtesa ka shumë mbindërtime. Të dhënat tregojnë se në vitin 2025 janë dhënë edhe 7 leje për mbindërtime.
Ndërkaq, edhe pse Tetova është përfshirë në ndërtime të mëdha për sa i përket ndërtimit të banesave kolektive megjithatë çmimet e këtyre banesave gjithnjë e më shumë rriten. Informacionet janë se madje të gjitha banesat shiten ende pa u ndërtuar e tërë ndërtesa prandaj njohësit e këtyre rrethanave thonë se pikërisht interesimi i lartë për blerje të banesave, ka bërë që çmimet të jenë të larta. Krahas banesave kolektive, ka edhe interesim të madh për të ndërtuar edhe shtëpi individuale dhe kjo kryesisht ndodh në zonat periferike të Tetovës. /Koha/






