“Karton të kuq” për Maqedoninë e Veriut nga PISA

    Kështu duket harta e rezultateve të PISA-s për vitin 2022, dhe Maqedonia e Veriut mban ngjyrën e kuqe të errët si rezultat i pikëve të ulëta të testimit. Rezultatet e fundit në fushat e matematikës, leximit dhe shkencës, janë në rënie krahasuar me vitin 2018, ku poashtu vendi ynë ishte pozicionuar në fundin e listës. Rezultate pak më të mira se në vitin 2015 janë shënuar në matematikë, ndërsa rezultatet e leximit dhe shkencës u kthyen në pothuajse nivelin e njëjtë të vitit 2015.

    “Krahasuar me vitin 2015, përqindja e nxënësve që shënojnë pikë nën nivelin bazë të aftësisë (Niveli 2) u ul me tre për qind në matematikë; nuk ka ndryshuar ndjeshëm në lexim; dhe nuk ka ndryshuar dukshëm në shkencë”, thonë nga OECD për Maqedoninë e Veriut.

    Krahasuar me gjashtë vendet me performancën më të lartë në secilën lëndë dhe pesë vendet me popullsinë më të madhe të nxënësve 15 vjeçarë, nxënësit e Maqedonisë së Veriut kanë shënuar më pak se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në matematikë, lexim dhe shkencë.

    Në Maqedoninë e Veriut, 34% e nxënësve arritën të paktën nivelin 2 të aftësisë në matematikë, dukshëm më pak se mesatarja në vendet e OECD-së.

    “Rreth 1% e nxënësve në Maqedoninë e Veriut ishin performuesit më të mirë në matematikë, që do të thotë se ata arritën nivelin 5 ose 6 në testin e matematikës PISA. Gjashtë vende dhe ekonomi aziatike kishin përqindjet më të mëdha të nxënësve që e bënë këtë:

    Singapori (41%), Taipei (32%), Makao (Kinë) (29%), Hong Kong (Kinë)* (27%), Japonia ( 23%) dhe Koreja (23%)”, thonë nga OECD.

    Testimit të PISA-s në Maqedoninë e Veriut i’u nënshtruan 6610 nxënës në 111 shkolla. Ata u vlerësuan në matematikë, lexim dhe shkencë dhe përfaqësuan rreth 16 500 nxënës 15 vjeçarë në vend. Prej 81 shteteve gjithësej, radhiten në vendin e 71-të për njohje të gjuhës, në vendin e 61 për njohjen e matematikës dhe në vendin e 68 në shkencë. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Ulen çmimet nëpër restorantet e Ohrit, frikë se mund të mbyllen lokalet

    Lajmi i rradhës

    Limoni, përdorimet e pafundme në shtëpi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë