Kasami: Ali Ahmeti është peng i Grubit

    Kasami: Nuk pati ftesë për bashkëpunim nga BDI-ja

    Lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, në TV21 duke folur për politikat qendrore, ai tha se nuk pati ftesë për të bashkëpunuar me BDI-në, por vetëm thirrje publike për t’u bërë pjesë e të ashtuquajturit “Front Europian”, përcjell Nistori.

    “Nuk ka pasur një ftesë direkte ndaj Besës. Por ka pasur thirrje publike dhe nëpërmjet njerëzve për një bashkëpunim”, tha Kasami.

    Ky bashkëpunim sipas tij ka për qëllim “që të heshtë zërat kritikë në BDI-në dhe jo për t’u bërë pjesë e Frontit Europian”.

    Kasami për hyrjen e ASh-së në Qeveri: Është e qartë se pse nuk pati bashkim opozitar

    “Është e qartë se pse nuk pati bashkim opozitar”. Kështu është përgjigjur Kasami kur është pyetur se si e komenton hyrjen e ASh-së në Qeveri.

    “Pozicionet janë të qartë dhe se me hyrjen e ASH-së në qeveri ata janë deklaruar se janë pjesë e “Frontit evropian”. Tani është e qartë se Besa është në opozitë. Për momentin, ajo që është me rëndësi është se i kemi votuesit. Tanimë votuesi opozitar është i pacaktuar për të votuar Besën. Kjo është bërë e qartë edhe në Strugë, ku kemi pasur problem për të grumbulluar vota”, tha më tej Kasami.

    Kasami i afërt me Grupin e zjarrit? Tregon se çfarë e bashkon me Ganiun

    Kasami ka folur edhe për afërsinë me Grupin e zjarrit. Ai shtoi se me Visar Ganiun është takuar, ngaqë siç tha ai, bijtë luajnë futboll.

    Biri i Kasamit luan për “Shkëndijën”, ndërkaq i Ganiut për “Shkupin”.

    “Ai te “Shkupi”, biri im te “Shkëndija”. Sporti na bashkon, por edhe këtë e keqpërdori Artani. Për herë të parë Artani arriti të ndajë tifogrupet, “Shfercerat” dhe “Ballistët” dhe të shahen shqiptarët në mes vete”, tha Kasami.

    Kasami tregon kushtin për të votuar “pro” ndryshimeve kushtetuese

    Futja e bullgarëve në kushtet, është argument po aq i fuqishëm sa edhe heqja e “20%” që i destinohet shqiptarëve, theksoi Kasami.

    “Unë nuk mund të them se do të kemi kusht. Sepse nuk kemi dilemë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë. Ne do të përkrahim ndryshimet kushtetuese, por njëherësh vlerësojmë se heqja e “20%” është argument po aq i fuqishëm sa futja e bullgarëve në Kushtetutë”, tha Kasami.

    Kasami: Ahmeti në 2016-tën e largoi Xhaferin, tani është peng i Grubit

    Duke folur për kritikat e Grupit të zjarrit kundrejt funksionarëve të BDI-së, lideri i Lëvizjes Besa tha se Ali Ahmeti dhe partia që udhëheq ai, BDI-ja, janë të kapur nga Artan Grubi.

    “BDI dhe Ali Ahmeti janë peng i Artan Grubit… E dimë ne që BDI ka pasur një situatë të ngjashme në 2016-tën dhe e dimë që Aliu atëherë mori një vendim, kur nuk ishte i kapur, atëherë kur shumëkush mendonte se Musa Xhaferi, si bartës i ekzekutivit e kishte kapur edhe Aliun dhe BDI-në. Ai (Ali Ahmeti) e bëri një ndryshim drastik që se priti askush dhe votuesi e vlerësoi”, tha Kasami.

    Kasami: Opozitë shqiptare është Lëvizja Besa

    Sipas Kasamit, Aleanca për Shqiptarët ka humbur votuesit edhe në Strugë dhe takimi ynë me forumet në këtë qytet, dëshmoi se struganët tanimë kanë një alternativë – Lëvizjen Besa.

    Ai shtoi se Besa është opozitë shqiptare.

    “Tani janë të qarta pozicionet. Aleanca për Shqiptarët me futjen në Qeveri, janë deklaruar se janë pjesë e “Frontit evropian”. Tanimë është e qartë, Lëvizja Besa është në opozitë dhe është e gatshme dhe do të bashkëpunojë me të gjitha forcat opozitare”, deklaroi Kasami.

    “Deri në fund të viti”, kjo është zgjidhja që e kërkon Kasami për stadiumin e Tetovës

    Tha se i kanë dhënë afat kompanisë private “Ecolog”, që të sqarojë relacionin e saj me Qeverinë për ndërtimin e stadiumit të Tetovës.

    Ndërkohë, Kasami bëri të ditur se ekipet ligjore në komunë janë duke shqyrtuar mundësitë që ky projekt i shumëpremtuar të realizohet në nivelin komunal.

    “Ekipet ligjore janë duke analizuar mundësitë ligjore se si i njëjti mund të bëhet me nivelin komunal dhe jo qendror, përmes një analize fizibiliteti ku interesi publik do të mbrohej nga komuna dhe interesi privat nga kompania. Kam thënë se të gjitha këto veprime besoj se do të përmbyllen deri në fund të vitit. Nëse nuk arrijmë të dakordohemi me kompaninë deri në fund të vitit, ne si Komunë do të detyrohemi të gjejmë një zgjidhje tjetër”, tha Kasami. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Ushqimet që pastrojnë enët e gjakut

    Lajmi i rradhës

    Rubin: Lufta kundër dezinformatave, prioritet i Qeverisë së re malazeze

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë