Pas formimit të Qeverisë së re dhe pas kalimit të BDI-së në opozitë, qytetarët e Maqedonisë së Veriut po vërejnë ndryshim, thotë kreu i Lëvizjes Besa, pjesë e koalicionit VLEN, Bilall Kasami. I ftuar në Daily Click, Kasami thotë se kanë një akord me kryeministrin Mickoski që Qeveria t’i trajtojë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe politike. Kasami BDI-në në opozitë e sheh të çorientuar dhe të hutuar. I pyetur nëse presin protesta nga Fronti Europian për të mbrojtur legjitimitetin, thotë se ata më tepër kanë reagime instiktive dhe jo reagime të harmonizuara.
“Unë po e them, po e potencoj, po e përforcoj atë që e tha z.Mexhiti. Qytetarët duhet të jenë të qetë, sepse BDI nuk ka potencë politike e organizative, për më shumë ideologjike mbi të cilat do të organizonte protestat e ardhshme. Unë i shoh se janë të hutuar. Unë i shoh se reagimet i kanë më shumë reagime instiktive se sa reagime të mirë menduara dhe të mirë sistemuara”, tha Bilall Kasami.
Për mbledhjen e thirrur nga BDI të shtunën në Gostivar, Kasami thotë se do të mblidhen për të parë sa janë në numër. Sipas tij, anëtarët e BDI-së po shpërndahen në partitë e koalicionit VLEN.
“Vlerësoj që BDI është e çorientuar, është e orientuar më tepër rreth homogjenitetit brenda radhëve të saj. Edhe takimin e së shtunës në Gostivar e shoh në këtë drejtim. Një shok me shaka më tha, a thua kanë thirrur mbledhje për të parë a i kanë në numër, sepse po marrim informata të përditshme që njerëzit po ju largohen, po e shohim që është një organizim partiak nuk është i koalicionit. Siç duket tanimë dalëngadalë njerëzit që janë anëtarë apo pjesë e strukturave të koalicionit të frontit të tyre po shpërbëhen dhe po nisin komunikimet me partitë e qeverisë”, tha Kasami.
I pyetur nëse edhe më tej qëndron mundësia për kalim eventual të deputetëve nga Fronti Europian te shumica e re parlamentare, Kasami tregoi se komunikimi vazhdon.
“Vazhdon të jetë komunikimi i përditshëm mes deputetëve të Frontit Europian dhe të Qeverisë”, u shpreh Kasami.
-Bëhet fjalë për partitë që janë jo shqiptare, Bejxhan Iljas apo Sali Murat?
“Po në përgjithësi, po flas si pjesë e opozitës dhe Qeverisë, edhe në të kaluarën kanë qenë këto lëvizje, do të jenë edhe më tutje këto lëvizje. Kjo është ajo se ka deputetë të cilët vlerësojnë që më mirë mund t’ju shërbejnë votuesve të tyre ashtu siç e kanë thënë në të kaluarën, duke qenë pjesë e Qeverisë se sa duke qenë pjesë e opozitës”, tha ai.
Kasami thekson se bisedimet që deputetë të opozitës t’i bashkangjiten shumicës parlamentare do të intensifikohen kur të jetë nevoja për të kaluar ligje me 2/3 e votave në Kuvend.