Kasami dhe Ganiu: Asgjë të jashtëligjshme në pritjen e Albin Kurtit

    Rruga Adem Demaçi në Çair / Fotografia: FB, Izet Mexhiti

    Krerët e dy komunave të cilët gjatë tre ditëve të fundit kanë qenë cak i reagimeve pas vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Çair dhe Tetovë, thonë se gjithçka rreth organizimit ka qenë ligjore. Kreu i Komunës së Çairit Visar Ganiu thotë se reagimi i presidentit Stevo Pendarovski ka qenë i shpejtuar dhe si presidenti nuk ka qenë i informuar drejt nga këshilltarët e tij. Pendarovski dy ditë më parë kërkoi që organet të shikojnë ligjshmërinë e procedurave për riemërimin e rrugës me emrin “Adem Demaçi”.

    “Ajo procedurë ka kaluar edhe në këshill komunal tek ne, te Komuna e Çairit, gjithashtu edhe te këshilli i Qytetit të Shkupit në kohën e z. Petre Shilegov dhe këtë ne e kemi promovuar disa herë me vite. A e kane votuar këshilltarët e LSDM-së? E kanë votuar të gjithë, e kanë votuar dhe këtë ua them me plot përgjegjësi. Por më duket se kabinetit qeveritar nuk i ka pëlqyer që z. Kurti nuk i ka takuar të tjerët. Unë nuk përzihem në agjendën e Kurtit. Ne kemi bërë ftesë direkte, siç ja kemi bërë Vjosa Osmanit, ja kemi bërë edhe z.Kurtit, deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit.

    Presidenti, kabineti i kryeministrit Kovaçevski dhe aktorë të tjerë reaguan për ikonografinë e përdorur, intonimin e himnit shqiptar dhe simboleve të tjera edhe gjatë vizitës së Kurtit dhe koncertit në Tetovë, duke thënë se ka pasur nxitje të jotolerancës etnike.

    “E kuptojmë qeverinë por edhe presidentin por edhe gjithë ata të cilët reaguan edhe në Maqedoni por edhe ata nga Beogradi për shqetësimin që e kanë se pse për herë të parë në sheshin e Tetovës pas një kohe të gjatë tubohet një masë e madhe e njerëzve dhe ata njerëz aty ishin edhe për të pritur kryeministrin e një vendi mik për Maqedoninë e Veriut, një vendi të dytë me shumicë shqiptare. Më shumë të shqetësuar ishin edhe për atë se në shesh ishin edhe liderët e opozitës së bashkuar shqiptare e cila tani më po konsolidohet dhe po i numëron ditët e fundit të kësaj qeverie,” u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

    Ganiu dhe Kasami thonë se nuk ndjejnë përgjegjësi për nxitje dhe janë të gatshëm të mbajnë përgjegjësi në rast se vërtetohen shkelje eventuale.

    “Le të tregojnë se ku ka nxitje armiqësore në Çair nga ne që jemi organizator. Ju e dini, ekrani led, e dini dhe bina si ka qenë e rregulluar, e dini fjalimet që janë mbajtur, ka qenë e hapur për të gjithë banorët dhe nuk ka pasur ndonjë moment që mund të themi se ka pasur nxitje,” u shpreh Visar Ganiu, kryetar I Komunës së Çairit.

    “I kanë institucionet e sigurisë në kontroll, kanë policinë, kanë hetuesinë, të gjitha nga sot le të nisin procedurat e hetimit për atë që e ka përgjegjësi Komuna e Tetovës për organizimin në fjalë dhe ne jemi këtu që të japim llogari. Ne vlerësojmë se i gjithë organizimi ka qenë në kuadër të ligjit por ajo që ka qenë jashtë parashikimeve të tyre ka qenë masa e madhe e njerëzve që dolën në shesh,” u shpreh Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

    Të premten në vend qëndroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili në Çair u prit në përurimin e emrit të ri të rrugës “Adem Demaçi” kurse nga Tetova bëri thirrje për përshpejtimin e ndërtimit të rrugës Tetovë-Prizren dhe mori pjesë në koncert të organizuar me rastin e kësaj vizite. Kurti takoi vetëm politikanë të bllokut opozitar dhe asnjë nga radhët e pushtetit. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Arsovska u bën thirrje këshilltarëve të Shkupit që të votojnë për ndërrimin e emrit të rrugës “Adem Demaçi”

    Lajmi i rradhës

    Dhjetëra deponi jolegale në RMV digjen vazhdimisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë