Kasami: Nuk ngremë dolli dhe nuk hamë darkë me Ali Ahmetin dhe Artan Grubin

    Kasami: Nuk jemi të interesuar të ngremë dolli dhe të hamë darka me BDI-në

    Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami i ftuar në “360 Gradë” ka folur për vendimin e subjektit të tij politik për mospjesëmarrje në takimin e liderëve të partive politike shqiptare të thirrur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Kasami me këtë rast u shpreh se ai dhe subjekti i tij politik nuk janë të interesuar për takime relaksuese në një kohë kur qytetarët përballen me krizë të thellë ekonomike, përcjell Nistori.

    “Lëvizja Besa nuk ka problem për tu ulur dhe për të takuar lider të partive politike shqiptare të RMV-së, por për të folur për çështje reale, për probleme reale dhe për të gjetur zgjidhje për ato probleme. Pra ne vlerësojmë që pas 20 viteve pushtet të Ali Ahmetit dhe BDI-së në krye tani më me Artan Grubin vlerësojmë që nuk kemi nevojë që me ata të ulemi dhe të hamë darkë dhe të bisedojmë, dhe të ngremë dolli, të bisedojmë për tema të relaksuara në kohën kur qytetarët tanë janë në një krizë të thellë ekonomike”, deklaroi kryetari i Besës.

    “Ndryshimet Kushtetuese”, Kasami: Kërkojmë të largohet definicioni i 20 përqindëshit

    Kreu i Besës deklaroi se mbështet rrugën europiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut, megjithatë këmbëngul që në ndryshimet kushtetuese të përfshihet edhe largimi i 20 për qindëshit… term të cilin ai e vlerëson si nënçmues për shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

    “Ne vlerësojmë se kur Maqedonia e Veriut duhet të bëjë ndryshimet e radhës kushtetuese ne vlerësojmë që është e kohës dhe e radhës që të largohet edhe ky definicion (20 për qindëshi) për ne diskriminues dhe për të cilin vlerësojmë se nuk dëmton asnjë komunitet tjetër në Maqedoni të Veriut. Lëvizja Besa në drejtim të avancimit të të drejtave të qytetarëve, me këtë rast të shqiptarëve kërkon që me ndryshimet kushtetuese të radhës të futet edhe ndryshimi i definicionit nënçmues që është 20 për qindëshi. Dhe këtë nuk e vlerësojmë në asnjë moment dhe në asnjë mënyrë si kushtëzim për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me marrëveshjen  me Bullgarinë”, deklaroi kryetar i Lëvizjes. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    “Një epokë e re industriale”

    Lajmi i rradhës

    Rritet lista e vendeve që bllokojnë TikTok-un në ShBA

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë