KE: Kushtetuta të ndryshohet

    Në vitin e fundit, Maqedonia e Veriut nuk ka lëvizur drejt Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian në raportin vjetor për vendet kandidate, thuhet se vendi duhet të zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen e Miqësisë së Mirë me Bullgarinë. Në Parlamentin Evropian, raportin e prezantoi Komisionerja për zgjerim e BE-së, Marta Kos.

    “Maqedonia e Veriut mbajti harmonizim të plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe ka vazhduar të ndjekë planin e veprimit që lidhet me Kllasterin e parë por vendi nuk ka marrë hapa vendimtarë për të ecur përpara në procesin e negociatave, për më shumë se një vit. Kushtetuta duhet të ndryshohet në përputhje me konkluzionet e Këshillit të vitit 2022, që të avancojë në rrugën Evropiane”, tha Marta Kos, Komisionere për zgjerim e Bashkimit Evropian.

    Parlamenti thuhet se bën punën e tij në mënyrë përgjithësisht efektive megjithatë, polarizimi politik aty vazhdon, duke vonuar miratimin e reformave të rëndësishme dhe disa emërimeve të vonuara prej kohësh. KE-ja thekson se Parlamenti nuk bëri përpjekje për të miratuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese. Komisioni Evropian kërkon që Parlamenti të përshpejtojë reformat e nevojshme në procesin e integrimit dhe të kufizojë përdorimin e procedurave të shkurtuara. Mes tjerash kërkohet bashkëpunim ndërpartiak.

    Raporti i KE-së:

    Polarizimi politik vazhdoi, duke vonuar miratimin e reformave…

    Nuk u bënë përpjekje për të miratuar ndryshimet përkatëse kushtetuese

    … të kufizojë përdorimin e procedurave të shkurtuara legjislative.

    Bashkëpunimi ndërpartiak mbetet thelbësor për të përshpejtuar zbatimin e reformave…

    I publikuar pak ditë pas zgjedhjeve lokale, raporti thekson se legjislacioni zgjedhor ofron një kornizë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike por se nuk është bërë asnjë përparim në adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së.

    Raporti i KE-së:

    Legjislacioni zgjedhor ofron një kornizë të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

    Nuk u bë asnjë përparim në adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së.

    Pavarësisht njëfarë progresi të bërë, KE-ja thotë se një reformë gjithëpërfshirëse e vetëqeverisjes lokale është ende urgjentisht e nevojshme dhe se dialogu midis niveleve të ndryshme të qeverisjes duhet të forcohet. “Marrëdhëniet ndëretnike mbetën të qëndrueshme dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit vazhdoi të zbatohej”, konstaton raporti.

    Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur në fushën e reformës së administratës publike. KE-ja kërkon që të rregullohet shërbimi i drejtuesve administrativ dhe të zbatojë ligjet për reforma në administratë.

    Vendi është mesatarisht i përgatitur për konkurrencën dhe tregun brenda BE-së.

    Deri sa vendi stagnon, zgjerimi është mundësi reale për katër vende të tjera kandidate në pesë vitet e ardhshme.

    “Rezultatet janë kryesisht pozitive për Shqipërinë, Ukrainën, Moldavinë dhe Malin e Zi. Vlerësimi është i përzier për Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Bosnjë Hercegovinën dhe Turqinë kurse negative për Gjeorgjinë. Mali i Zi është më i avancuar në procesin negociues kurse Shqipëria ka momentum të papërsëritur”, theksoi Kaja Kallas, Përfaqësuese e lartë e BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë.

    Në ditën e publikimit të raportit, vendet kandidate takojnë në Bruksel përfaqësuesit e lartë të BE-së në një samit të Euroneës rreth zgjerimit. Ai ul bashkë presidentin e Këshillit Evropian Antonio Koshta dhe Komisioneren Evropiane për Zgjerimin Marta Kos dhe presidentin e Ukrainës, Volodimir Zelenski, presidentin e Moldavisë, Maia Sandu, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe tre kryeministrat, atë të Shqipërisë, Edi Rama, të Malit të Zi Milojko Spajiç dhe kryeministrin e vendit Hristijan Mickoski. / Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Nëse nuk marrim pagat, bojkot 72 orësh për pastrimin e Shkupit”

    Lajmi i rradhës

    Presidenti bullgar paralajmëron BE-në: Serbia po synon territore nga Kosova, Bosnja, Kroacia, Mali i Zi dhe Maqedonia

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë