KE: Një vend-anëtar i BE-së nuk guxon të ndikojë në politikën e brendshme të shteteve të tjera

    Vendet-anëtare të BE-së në asnjë rrethanë, nuk duhet të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të tjera, pavarësisht nëse janë apo jo anëtare të Unionit, kujtoi sot Komisioni Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje të korrespondentes së MIA-s nga Brukseli mbi deklaratat e presidentit bullgar Rumen Radev.

    MIA sot kërkoi një reagim nga Komisioni Evropian pasi presidenti bullgar Radev tha dje në Slloveni se ai pret që 120 mijë qytetarë në Maqedoninë e Veriut të regjistrohen si bullgarë.

    “Më shumë se 120.000 qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë gjithashtu shtetas të Republikës së Bullgarisë, bazuar në vullnetin e tyre të shprehur pa mëdyshje dhe dokumentet e paraqitura objektive të origjinës. Dhjetëra mijëra të tjerë janë duke pritur për pasaportën e tyre bullgare dhe ne presim që ai realitet të reflektohet në regjistrimin e popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi Radev.

    Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Dana Spinant, nuk deshi të përgjigjet në mënyrë specifike për rastin me Maqedoninë e Veriut, por kujtoi qëndrimin parimor të Komisionit Evropian.

    “Asnjëherë nuk është e pranueshme që një vend t’i diktojë diçka tjetrit”, tha Spinant, duke shtuar se në rastin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, nëse do të ishte çështje metodologjie, Komisioni Evropian nuk do të komentonte, por donte të zgjidhte sa më shpejt të jetë e mundur mosmarrëveshjen me Bullgarinë.

    Spinant tha se kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, dje nga samiti në Bërdo afër Kranjit në Slloveni edhe një herë kërkoi tejkalimin e kësaj mosmarrëveshje dypalëshe në mënyrë që të fillojnë negociatat midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut.

    “Ne duam të zgjidhim këtë çështje dypalëshe, për shkak të së cilës Bullgaria nuk pranon të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian.

    Fon der LaJen u takua dje me kryeministrin Zoran Zaev dhe me presidentin bullgar Radev, në prani të kryetarit të Këshillit Evropian, Sharl Mishel dhe kryeministrit slloven Janez Jansha.

    “Kjo ishte tema. Për t’i dhënë shtysë të dyja vendeve. Është shumë e rëndësishme për ne që të gjejmë një zgjidhje, në mënyrë që të mos e vonojmë procesin. Ne nuk komentojmë sepse bisedimet mes dy palëve vazhdojnë”, shtoi Spinant.

    Lajmi Paraprak

    Carovska: Të përdoren libra digjital e jo libra të shtypur

    Lajmi i rradhës

    Nuk ka më pritje nëpër sportele, qytetarët do të mund t’i nxjerrin dokumentet e nevojshme nga gjykatat për disa minuta

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë