“Kemi dal, kemi prit, nuk ka ardhur pastaj prapë jemi kthyer në shtëpi” / Mbi 40 nxënës të Vizbegut, kanë mbetur pa transport të organizuar

    Nxënësit e Vizbegut që mësojnë në shkollën fillore “7 Marsi” në Çair kanë mbetur pa transport të organizuar që nga nisja e vitit të ri shkollor e të cilin vitin e kaluar shkollor ua mundësoi Komuna e Çairit. Për të mbërritur në shkollë nxënësit detyrohen të paguajnë nga xhepi i tyre. Siç thanë fëmijët, mungesa e transportit shpesh herë ka detyruar fëmijët të humbin nga mësimi.

    “Kemi dal, kemi prit, nuk ka ardhur pastaj prapë jemi kthyer në shtëpi”, tha një nxënës.

    “Prej se ka filluar viti shkollor kemi dal me prit autobusin por nuk ka ardhur dhe kemi mbet vonë për në shkollë. Kur jemi kthyer në shtëpi s’kemi pas veturë se prindërit kanë qenë të zënë edhe kemi mbetur pa shkollë”, u shpreh një nxënës tjetër.

    “Të gjithë fëmijët e tjerë shkojnë në shkollë dhe e mbajnë mësimin me rregull, ne çdo herë gati e kemi humbur mësimin, s’ka pas kush të na dërgojë”, tha një nxënëse tjetër.

    Banorët e Vizbegut kujtojnë institucionet përkatëse se kishin premtuar transport të organizuar për nxënësit derisa të hapet shkolla e re në Vizbeg. Gjithashtu, të revoltuar prindërit thanë se çdo kush po luan me fatin e fëmijëve të tyre.

    “Le të na tregojnë sa kohë do të jenë të dënuar këto fëmijë që kanë mbet rrugëve, duhet me pas transport patjetër kush është i lirë i dërgon por të gjithë nuk i zë makina, duhet me ardh dy herë. Disa mbesin pa shkollë, disa dalin në rrugë e kthehen, katastrofë”, tha një banor.

    “Premtimi ishte se me 1 Shtator do të hapet shkolla, erdhi ministri dhe tha se për shkak të disa kushteve nuk do të hapet këtë muaj por nuk do të mungoj transporti. Ne ishim shumë të kënaqur dhe nuk bëmë asnjë lëvizje deri sot, por faktikisht transport nuk ka”, u shpreh një banor.

    Nga Komuna e Çairit thanë se këtë vit nuk kanë paraparë buxhet për transportin e nxënësve të Vizbegut. Sipas tyre, marrëveshja me Ministrinë e Arsimit kishte të bënte vetëm për vitin e kaluar shkollor pasi më 1 Shtator ministria e Arsimit kishte paralajmëruar hapjen e shkollës së re në Vizbeg.

    “Kostoja që paguan komuna për këtë lloj shpenzimi është në afërsi prej 60 mijë euro”, tha Fari Iseni, zëdhënës i Komunës Çair.

    Përndryshe nga i njëjti takim që është mbajt është premtuar edhe një gjë tjetër. Është premtuar që ky shpenzim që e bën komuna në këtë rast, nga mjetet vetanake do të kompensohet me investime kapitale në shkollën fillore “7 Marsi”. Nga ato investime kapitale, deri më tani ka zero investime, nuk është realizuar asnjë gjë”.

    Nga Ministria e Arsimit thanë se çdo gjë që është kërkuar nga Komuna e Çairit është plotësuar. Gjithashtu, nga dikasteri i Arsimit kujtojnë se me kohë kanë njoftuar komunën për organizimin e transportit të mbi 40 nxënësve deri në momentin që shkolla e re në Vizbeg nuk fillon me punë. Sipas Ministrisë së Arsimit, shkolla e re pritet të hapet më 1 Tetor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    Policia: Tre sulmues të vrarë nga grupi i armatosur terrorist dhe një i arrestuar

    Lajmi i rradhës

    Arrestohet një pjesëtar i grupit terrorist në Zveçan, publikohen pamje duke u dërguar në Stacionin Policor (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë