Kërkesat për ndalimin e tërësishëm të TikTokut në RMV po bëhen më të zëshme

    Fati i platformës sociale “Tik-Tok” në Maqedoninë e Veriut aktualisht ndodhet në duart e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. I pari i këtij institucioni, Jeton Shaqiri tha se nuk përjashtohet ndalimi i tërësishëm i kësaj platforme pasi që sipas tij, kufizimi apo rregullimi i përdorimit të tij vetëm në objektet e shkollave nuk do ta zgjidhte problemin.

    “Ne fillimisht do të kërkojmë nga institucionet që merren me sigurinë kibernetike të përgatisin raport në lidhje me atë se çfarë publikohet në këtë platformë, grupmoshat e përdoruesve dhe ngjashëm. Deri në përfundimin e këtyre analizave, shqyrtojmë ndalimin e përkohshëm të Tik-Tok dhe pastaj nëse është e nevojshme, ndalimin e plotë pasi që nuk arrihet qëllimi në qoftë se ndalesa bëhet vetëm në objektet shkollore”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

    Ndalimi potencial i përdorimit të kësaj platforme po shqyrtohet jo vetëm në Maqedoninë e Veriut. Në këtë platformë po bëhen “sfida” të rrezikshme, ndërsa në vend kemi të regjistruar edhe viktima si pasojë e këtyre “lojërave”. Luka Paviqeviq nga Unioni i Nxënësve të Shkollave të Mesme tha se është i vetëdijshëm për pasojat e kësaj platforme, megjithatë bën thirrja që rregullimi i tij të jetë afatgjatë dhe adekuat.

    “Sa i përket propozimit që të ndalohet kjo platformë sociale, unë personalisht kam rezervë për këtë sepse duhet të mendohet në qoftë se realisht ajo ndalesë në fakt do të ishte e realizueshme, e dini se është shumë e lehtë që përmes përdorimit të një VPN-je tjetër të ndryshohet adresa e internetit, që në fakt do të thotë se IP-adresa nuk buron nga Maqedonia dhe sikush do të kishte qasje përsëri në Tik-Tok. Gjithashtu, çfarë do të ndodhte në qoftë se përmes kësaj këto aktivitete thjeshtë do të ishin transferuar nga Tik-Tok në ndonjë platformë tjetër” , u shpreh Luka Paviqeviq, kryetar i UNShM-së.

    Përveç kësaj edhe deputetja Monika Zajkova do të propozojë ndërhyrje në disa ligje që kanë të bëjnë me sigurinë. Edhe atë rregullimin e përdorimit të “Tik-Tok” dhe rrjeteve tjera që nxisin dhunë, kontroll të lojërave të rrezikshme, ndryshime në pjesën e lëshimit dhe posedimit të armëve të zjarrit dhe ngjashëm. Ekspertët e sigurisë kibernetike me të cilët bisedoi ALSAT thanë se ndalimi eventual i përdorimit të këtij rrjeti-sociale mund të bëhet përmes operatorëve që furnizojnë shtetin me internet. Rikujtojmë që psikologë dhe sociologë ka kohë që alarmojnë për faktin që ky aplikacion shkakton varësi për shkak të algoritmit jashtëzakonisht të personalizuar të përmbajtjes. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    FAO apelon për kujdes: Çmimi i ushqimeve të rritet sërish

    Lajmi i rradhës

    Lodhja kronike | Çfarë e shkakton dhe si ta shmangim?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë