Kërkohet dorëheqja e të gjithë anëtarëve në Këshillin gjyqësor

    Një përbërje e Këshillit Gjyqësor që shkel disa herë ligjin dhe rregulloren e punës, s’mund të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, të përmirësojë reputacionin e sistemit gjyqësor e as të garantojë llogaridhënie dhe cilësi në punën e gjykatësve. Vlerësojnë një grup i organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit sipas të cilëve, në çdo moment duhet që secili anëtar i Këshillit Gjyqësor të dorëzojë dorëheqjen për të mundësuar funksionim normal të këtij institucioni.

    “Me keqardhje konstatojmë se Këshilli vazhdon të merr vendime bazuar në procedura të kundërligjshme, duke shkatërruar kështu reputacionin tashmë të keq të gjyqësorit në opinion. Duke pasur parasysh se e padrejta nuk mund të bëhet e drejtë, Këshilli Gjyqësor ka humbur legjitimitetin për të qenë një organ që do të mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, do të përmirësojë reputacionin e sistemit gjyqësor në publik dhe do të garantojë llogaridhënie dhe cilësi në punën e gjyqtarëve. Prandaj, kërkojmë nga anëtarët aktual që të dorëzojnë dorëheqjet e tyre dhe të mundësojnë formimin e një përbërje tjetër të Këshillit, si e vetmja mënyrë e besueshme për tejkalimin e situatave të shkaktuara nga veprimet e kundërligjshme të Këshillit”, thonë nga Platforma e Organizatave Qytetare për Luftë Kundër Korrupsioni.

    Ndër arsyet kryesore për këtë kërkesë, nga kjo platformë përmendin seancën e 26 prillit ku u shkarkua ish-kryetarja Vesna Dameva në kundërshtim me ligjin, më pas, përsëri pa u parapa një gjë e tillë në ligj, tërheqjen e të njëjtit vendim për shkarkim, takimet e “fshehura” të 4 majit pa respektuar rregulloren e punës dhe dispozitat ligjore për përjashtimin e mediave si dhe vendimin e 9 majit për përjashtimin e kamerave nga salla ku po mbahej seanca.

    Nga ana tjetër në ditën e tretë në krye të këtij institucioni, Sashko Georgiev sot kërkoi të “zbut gjakrat” me mediat dhe ju kërkoi atyre edhe një shans. Madje, tha se do të ndajë para nga buxheti i këshillit për Agjencinë Publike “MIA” që të transmetojë çdo seancë drejtpërdrejtë në “Fejsbuk”.

    “Kjo përbërje e këshillit gjyqësor ndërsa unë si kryetar i këshillit gjyqësor, ju garantoj, ndërsa këtë edhe koha do ta dëshmojë se, do të jemi tërësisht transparent, do të jemi me ju bashkë, që të luftojmë për të vërtetën, për punën që e bëjmë edhe për arritjet të cilat do të vijojnë”, deklaroi Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

    Rikujtojmë që iniciatori për vendimin e shkarkimit të Vesna Damevës në mënyrë të kundërligjshme ishte zëvendës-kryetari i këtij institucioni, Selim Ademi ndërsa edhe pse ai ditë më herët kishte deponuar dorëheqjen e tij, vazhdon të ushtrojë këtë detyrë.

    Jozyrtarisht, anëtarët s’po merren vesh me njëri-tjetrin se kush do ta zëvendësojë atë.

    Ndryshe, sot ministri i Drejtësisë Krenar Lloga paralajmëroi intervenime urgjente në Ligjin për Këshillin Gjyqësor. /Alsat/

    Lajmi Paraprak

    “Kam humbur kartelat, nuk e di pagën” / Zyrtarët nuk duan të flasin për pagat e tyre

    Lajmi i rradhës

    Transportonin 105 kg kokainë me kontejnerë të bananeve, arrestohen 14 persona nga policia e RMV dhe Greqisë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë