Pas Luftës së Dytë Botërore, fshatrat kufitare të Dibrës respektivisht banorët e tyre u ballafaquan me problemet e shumta sigurie. Sistemi i atëhershëm policor jugosllav realizoi presione të shumta ndaj banorëve dhe nga viti në vit fshatrat filluan të boshatisen. Në disa etapa kjo boshatisje ishte në mënyrë masive. Jeta e pasigurt e banorëve vazhdoi dekada me radhë, prandaj edhe migrimi i fshatrave shqiptare në anën e kufirit përfundoi kah fundi i viteve të 60-ta pas ndërtimit të Liqenit të Dibrës meqë në një pjesë të fshatrave u paraqitën edhe ujërat nëntokësor si rezultat i akumulimit të liqenit. Sot fshatrat Sollokiç, Konjar, Bomovë, Sushicë, Taranik etj, janë pa banorë.
Janë fshatra me tokë pjellore, posedojnë burimet e veta ujore por kufiri i egër bëri që këto fshatra sot të jenë të boshatisura. Viteve të fundit ka një tentim të disa ish banorëve të cilët kanë trojet dhe shtëpitë e veta që gjatë vikendeve të vizitojnë vendlindjet e tyre dhe të tjerë të cilët kanë filluar t’i kthehen bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe aktiviteteve të tjera. Në këtë drejtim në riaktivizimin e fshatrave një kontribut jep edhe komuna Dibër e cila ka ndërtuar deri tani rrugë deri tek disa fshatra dhe aktualisht ajo është duke përkrahur edhe projektet të tjera për revitalizimin të fshatrave. Një fshat i kësaj zone që quhet Spas para disa viteve ka filluar me sukses që të revitalizohet.
Intelektuali i njohur dibran Prof Dr Abdyl Koleci i cili sot jeton në Dibër vitet e fëmijërisë dhe rinisë i ka kaluar në fshatin e lindjes Sollokiç. Ai ashtu siç edhe banorët të tjerë të cilët kanë migruar në Dibër por edhe në shtete të tjera të botës, thotë se ka qenë një periudhë e rëndë për të jetuar në fshatrat kufitare. Ai potencon se jeta në fshat në vitet e pasluftës ka pas shumë probleme dhe popullata ka filluar të migroj një pjesë në qytet dhe pjesa tjetër jashtë shtetit kryesisht në SHBA. Ai potencon se është pozitive për komunën por edhe për ish banorët që këta fshatra të revitalizohen. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore por edhe infrastrukturës tjetër përcjellëse është primare që në fshatra dalëngadalë të kthen ish banorët. Normalisht ata sot kanë shtëpitë e tyre në qytet por besoj se toka pjellore, bukurit e fshatrave do ti bindin që të vizitojnë dhe të aktivizohet fshatrat në fjalë. Aktualisht në vizitën që ua bëmë këtyre fshatrave takuam shumë ish banor të këtyre fshatrave.
Një numër i theksuar e ish banorëve sot në afërsi të fshatrave Sollokiç, Bomovë, Konjarë kultivojnë prodhimet bujqësore por ka edhe të tillë të cilët kanë edhe një numër të madh të koshereve të bletëve. Një pjesë e tyre kanë edhe shtëpitë e tyre të cilat janë të dëmtuara por që kanë filluar t’i sanojnë. Ka edhe të tjerë të cilët gjatë vikendeve vizitojnë fshatrat e lindjes edhe atë me shumë dashuri. Gjatë sezonit veror viteve të fundit këta fshatra janë vendi ku arrijnë edhe një numër i madh nga Amerika, pjesëtar të familjeve Marku, Fida, Koleci, Dema, Duka etj.
Kur jemi te fshatrat shqiptare dhe të boshatisura veçojmë fshatin Spas. Edhe ky fshat është boshatisur tërësisht por shumë më herët ka filluar të riaktivizohet. Familja Duka është familja më e madhe e këtij fshati dhe me një organizim vëllazëror së bashku me familjet e tjera kanë bë sanimet e rrugëve infrastrukturës elektrike, furnizimit me ujë etj. Disa nga mërgimtarët paralajmërojnë ndërtimin e bujtinave dhe hoteleve. Ramiz Duka është një mërgimtar nga ky fshat i cili ka paralajmëruar ndërtimin e një objekti për akomodimin e turistëve.
“Duam që fshati jonë përsëri të ringjallet. Janë sanuar shumë shtëpi, xhamia e fshati, ujësjellësi në rregull dhe kemi rrymë elektrike. Kemi takime me fshatarët dhe besoj se për një kohë të shkurtët të bëjmë një fshat turistik”, thotë Duka.
Shpresa e ish banorëve ë këtyre fshatrave shqiptare të cilët vuajt shumë nga pozicioni i tyre afër kufirit është që këta fshatra të riaktivizohen. Ndryshimet politike tani kanë ndryshuar dhe ka mundësi duke marrë parasysh bukuritë dhe pasuritë e këtyre vendbanimeve rurale sa do pak t’i kthen banorët e mëparshëm. Ndoshta kthimi nuk do të jetë ashtu siç kanë qenë më parë por vet fakti që fshatrat riaktivizohen, japin mundësi për zhvillimin të bujqësisë, blegtorisë, bletarisë dhe turizmit. /Koha/