Këshilli i Prokurorëve Publikë nuk ka mundësi ligjore ta shkarkojë nënkryetarin dhe anëtarin e këtij organi, Ixhet Memeti, edhe pse është i dyshuari i dytë në rastin e marrjes së 10 mijë eurove ryshfet, së bashku me gjykatësin suprem Nake Georgiev, i cili është i dyshuari i parë.
Sipas neneve, Memeti nuk duhet të marrë pjesë në punët dhe vendimet e Këshillit për sa kohë zgjat hetimi. Ata arsyetuan se nuk kishin mjete ligjore për ta shkarkuar.
Anëtarja Keti Petkova sqaroi se Ligji për Këshillin e Prokurorëve Publikë nuk e parasheh mundësinë e largimit nga vendi i punës derisa procedura penale është në vazhdim.
“Në atë këndvështrim, duart tona janë të lidhura si Këshill që të mund të heqim në çdo mënyrë ndikimin e anëtarit. Edhe pse nuk kemi mundësi ligjore të veprojmë me atë dispozitë që do të ishte më e logjikshme, nuk duhet të heshtim dhe të mos themi dobësitë e konstatuara pasi të veprohet në këtë çështje”, tha ajo.
Sipas saj, procedura e hapur penale dhe bastisja e kryer në Këshill ndikon drejtpërdrejt në integritetin e Këshillit si institucion dhe mbi ta si anëtarë.
Svetlana Zhupanovska, anëtare e Këshillit të Prokurorëve Publikë, tregoi se është lënë në ndërgjegje të Memetit që të vendos nëse do të marrë pjesë në punën e tij.
Anëtari Antonio Jolevski u pajtua me kolegët e tij dhe rekomandoi që Memeti të mos marrë pjesë në punën e Këshillit.
“Ia lëmë ndërgjegjes, moralit të anëtarit të këshillit nëse do të merr pjesë. Unë do të rekomandoja, veçanërisht në rastin e zgjedhjeve dhe shkarkimit, të mos marrë pjesë, sepse pikërisht në ato situata do të vihet në pikëpyetje besueshmëria”, sqaroi Jolevski.
Kryetarja e Këshillit, Dushica Dimitrieska, në një deklaratë për media pas seancës, theksoi se Këshilli do ta përcjellë rrjedhën e procedurës penale dhe sipas rezultatit të saj do të veprojë sipas ligjit.
Ajo ka sqaruar se procedura e shkarkimit është e paraparë, por në këtë rast është e pamundur.
“Procedura për shkarkim është paraparë, mirëpo ajo procedurë duhet të fillojë me kërkesë të arsyetuar që duhet ta paraqesin së paku 20 prokurorë publikë dhe një e treta e anëtarëve të Këshillit, kjo kërkesë duhet të mbështetet me prova, në rastin konkret nuk mund të sillet”, tha ajo.
Ai shtoi se Këshilli nuk mund t’ia ndalojë Memetit pjesëmarrjen në seancat.
Më herët, në fillim të seancës së sotme, Dimitrieska ka njoftuar se Memeti e ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme dhe se po mendon të japë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Këshillit.
Ndryshe, Memeti dhe Georgiev janë dy të dyshuarit dhe janë pjesë e hetimeve të hapura nga Prokuroria, ndërsa dyshohen se kanë marrë “shpërblim për ndikim të paligjshëm”./Nistori/