Kina thotë se ShBA-ja po “luan me zjarrin”, për shkak të mbështetjes së Tajvanit

    Qeveria e Kinës e ka kundërshtuar të dielën vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë më shumë ndihmë ushtarake dhe për t’i shitur armë Tajvanit, duke thënë se Uashingtoni “po luan me zjarrin”.

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, autorizoi të shtunën furnizimin e Tajvanit me materiale dhe shërbime nga Departamenti i Mbrojtjes, si dhe ofrimin e edukimit dhe trajnimit ushtarak. Kjo ndihmë kap vlerën e rreth 571 milionë dollarëve.

    Ndërkohë, Departamenti amerikan i Mbrojtjes njoftoi të premten se ka aprovuar shitje armësh për Tajvanin në vlerë 295 milionë dollarë.

    Ministria e Jashtme e Kinës i bëri thirrje ShBA-së në një komunikatë që ta ndalë armatosjen e Tajvanit dhe t’i ndalojë ato që i quajti “lëvizje të rrezikshme që minojnë paqen dhe stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”.

    Tajvani është një ishull demokratik me 23 milionë banorë, por Qeveria kineze pretendon se ai është territor i saj dhe thotë se duhet të vihet nën kontrollin e saj.

    Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949, pas një lufte civile e cila mbaroi me Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.

    Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë asnjëherë pesë e Republikës së Popullit të Kinës, por Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet ta rimarrë qoftë edhe me forcë.

    Duke i shitur armë dhe e mbështetur ushtarakisht, SHBA-ja synon ta ndihmojë Tajvanin të mbrohet dhe ta parandalojë Kinën nga kryerja e ndonjë sulmi.

    Biden kishte autorizuar një mbështetje të ngjashme në shtator, në vlerë prej 567 milionë dollarë.

    Shitja e armatimit përfshin 265 milionë dollarë për rreth 300 sisteme radiotaktike dhe 30 milionë dollarë për 16 mbajtëse armësh.

    Ministria e Jashtme e Tajvanit mirëpriti miratimin e dy shitjeve, duke thënë në një postim në rrjetet sociale në X se kjo rikonfirmoi “angazhimin e Qeverisë së SHBA-së ndaj mbrojtjes sonë”. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Shkrimtari i nënkuptuar

    Lajmi i rradhës

    Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë