Kipper publikon analizat laboratorike: në qumështin LAND nuk ka vaj palme

    Kompania Kipper ka reaguar ndaj informacioneve që, sipas saj, po qarkullojnë lidhur me përbërjen e qumështit LAND, duke deklaruar se produkti nuk përmban përbërës të dëmshëm apo të ndaluar dhe se analizat laboratorike nuk kanë konstatuar prani të vajit të palmës, përcjell Nistori.

    Në njoftimin drejtuar konsumatorëve, kompania i cilëson informacionet që qarkullojnë si „të pavërteta dhe tendencioze“, ndërsa thekson se produkti është në përputhje me standardet e cilësisë dhe sigurisë.

    „Lidhur me informacionet e pavërteta dhe tendencioze që po qarkullojnë për qumështin LAND, ju njoftojmë se produkti nuk përmban asnjë përbërës të dëmshëm apo të ndaluar. Ai është plotësisht në përputhje me standardet e cilësisë dhe sigurisë“, thuhet në reagimin e Kipper.

    Sipas kompanisë, produktet e markës Kipper prodhohen nga prodhues të ndryshëm partnerë, ndërsa përgjegjësinë për cilësinë e tyre e mban vetë kompania. Kipper thotë se produktet u nënshtrohen rregullisht analizave dhe kontrolleve përkatëse.

    Në rastin e qumështit LAND, kompania sqaron se, për shkak të vëllimit të shitjeve dhe nevojës për furnizim të vazhdueshëm, produkti furnizohet nga dy qumështore: Alpi – Sentis AG dhe Sütaş – Evro Mlekara, të dyja nga Maqedonia e Veriut.

    Si dëshmi për pretendimet e saj, Kipper ka publikuar edhe dy dokumente me rezultate të analizave të kryera nga laboratori Proanaliz në Maqedoninë e Veriut.

    Sipas të dhënave të publikuara nga kompania, dokumenti me numër serik IX-26-1224 i referohet qumështit të prodhuar nga Alpi – Sentis AG, ndërsa dokumenti me numër IX-26-1223 i referohet qumështit nga Sütaş – Evro Mlekara.

    Kipper pretendon se në të dyja analizat nuk është detektuar prania e vajit të palmës.

    Kompania thotë se dokumentet e analizave i ka bërë publike për transparencë ndaj konsumatorëve.

    Njoftimi i Kipper vjen pas informacioneve dhe pretendimeve që kanë qarkulluar lidhur me përbërjen e qumështit LAND. Në materialin e publikuar nga kompania nuk specifikohet burimi i këtyre pretendimeve dhe as se kur kanë nisur të qarkullojnë. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Uji shpallet i pijshëm, por qytetarët e Gostivarit ende kanë frikë ta pinë nga çezma

    Lajmi i rradhës

    Zjarret vazhdojnë të shkatërrojnë Europën, mijëra njerëz largohen nga shtëpitë e tyre

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë