Këto ditë kryeministri Zoran Zaev njoftoi se janë siguruar 50 milionë euro që të shlyhen borxhet e komunave, gjë që ka nxitur reagim nga partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.
Nga ASH dhe AAA thonë se sikur kjo të ishte hera e parë dhe e vetme dhe sikur kjo të bëhej me qëllim që të funksionalizohen njësitë e vetëqeverisjes lokale, ky do të ishte një superlajm, por kur kihet parasysh se kjo ndodhë tashmë disa herë, me të drejtë mund të konstatojmë se këtu bëhet fjalë për anomali e abuzim dhe jo për sukses.
“Në Maqedoninë e Veriut kemi dhjetëra komuna që punojnë me humbje, kemi komuna që nuk i paguajnë shtesat e arsimtarëve, siç vepron – fjala bie – Komuna e Sarajit, por jo vetëm, kemi komuna që nuk kanë kurrfarë transparence financiare dhe që krijojnë dyshime të mëdha për korrupsion, kemi komuna që qëllimisht futen në borxhe, sepse ashtu u mundësohet korrupsioni, ndërsa në fund vjen qeveria dhe ua shlyen të gjitha këto, duke i sjellë në zero”.
“Në terma të menaxhimit me financat publike kjo quhet stimulimi paaftësisë së komunave dhe stimulim i korrupsionit. Përveç kësaj, kur kjo ndodhë në vitin që pritet të ndodhin zgjedhjet lokale, bëhet evidente se krejt kjo synon ta shpërlajë fytyrën e disa kryetarëve të komunave, që – gjatë menaxhimit me komunat – të vetmen gjë që e kanë rritur është sasia e borxheve. Prandaj, para se të bëhet kjo shlyerje borxhesh, më e rëndësishme është të bëhet një evaluim i punës së komunave dhe të bëhet vlerësimi i saktë, për ta përcaktuar se cilat janë komunat që kanë dështuar, të publikohet se pse ka ndodhur ky dështim, pse janë krijuar ato borxhe dhe ndaj kujt janë krijuar ato borxhe, që vetëm pastaj të mund të flitet për mundësinë e shlyerjes së tyre”, thonë nga ASH-AAA.
Sipas tyre, kështu siç vepron kjo qeveri vetëm stimulohet paaftësia dhe keqmenaxhimi me financat publike nga kryetarët e komunave. Koalicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët propozon që ato para t’u ndahen qytetarëve, të cilët, për shkak të kushteve të rënduara sociale, nuk mund t’i mbulojnë faturat mujore, por edhe kompanive, që janë në prag të falimentimit për shkak të kufizimeve që i ka shkaktuar pandemia.