Kodra e Diellit e gatshme për sezonin turistik

    Reshjet e para të bores në viset malore sidomos në Kodrën e Diellit, janë një ogur i mire se mund të kemi një sezon të suksesshëm në këtë pikë turistike. Këtë e thotë drejtori i Elem Tursit Adem Avziu. Në një prononcim për gazetën KOHA, Avziu thekson se gjatë periudhës së kaluar, sidomos gjatë këtij viti, janë kryer shumë punë të cilët do të mundësojnë një sezon të mire turistik në Kodrën e Diellit.

    “Këtë sezon do të funksionojmë me kapacitet të plotë, të gjithë shtatë ski-ashensorët, përfshi këtu edhe gjashtëulësen, Cilipashinën, dyulësen për fëmijë, aerodromin, GE-në dhe kështu me radhë. Për herë të parë, në këtë qendër skijimi do të kemi edhe tualete publike, të cilët i kemi rregulluar për këtë sezon. Kemi dy minibare dhe restorante që do të funksionojnë për herë të parë. Po ashtu një informacion shtesë se këtë sezon kemi një shteg të ri të skijimit për skijim nate, është komplet shtegu i Aerodromit që do të bashkohet me dy shtigjet e Teteksit dhe do të shkojë përreth kishës afërsisht dy kilometra kemi për skijim nate. Presim borë të mjaftueshme dhe mund të bëjmë hapjen e sezonit të ri të skijimit”, tregon Avziu.

    Hotelierët nga ana tjetër thonë se ka shumë rezervime sidomos nga vendet e huaja për muajin janar dhe shkurt. Në hotelin “Scardus”, theksojnë se rritja e interesimit ka të bëjë me përmirësimin e ofertës turistike, prandaj ka edhe fluks më të madh gati se çdo vit, sidomos nga jashtë. “Presim një fluks më të madh të mysafirëve veçanërisht të huaj, kemi prenotime të shumta për muajt janar dhe shkurt dhe kemi diku rreth 2000 prenotime për këta dy muaj – gjithnjë po e potencoj nga mysafirë jashtë vendit. Rritja e fluksit i dedikohet pikërisht rritjes së kualitetit të dhënies së shërbimeve, pasi ne ofrojmë edhe pajisje adekuate për skijim të lirë që edhe më shumë kërkohet nga ana e mysafirëve të huaj dhe ne i posedojmë prandaj ka interesim të shtuar”, thotë Hashim Hasani, pronar i hotelit “Scardus”.

    Por, problem mbetet edhe këtë sezon mungesa e vendeve të parkimit. Viteve të kaluara janë hasur kolona të gjata të automjeteve në hyrje të Kodrës së Diellit. Pikërisht theksin e vënë në këtë drejtim, edhe në Elem Turs se duhet që të bëhet një investim i tillë.

    “Realisht Kodra e Diellit ka nevojë për një parking në kate, por nuk është në kompetencë tonë. Megjithatë, jemi duke shikuar mundësinë e investimit të Gongolës (teleferikut) nga Tetova për në Kodrën e Diellit që është një nga investimet më të mëdha dhe presim të shohim se si do të veprohet në të ardhmen”, thotë drejtori i Elem Tursit, Adem Avziu. Edhe në hotelin “Scardus” nënvizojnë se kërkesa kryesore është që të ketë më shumë vende për parkim. Në ndërkohë, një problem ndër vite janë edhe mbeturinat. Në hyrje të Kodrës së Diellit ndodhet pika për grumbullimin e mbeturinave. Kërkohet dislokimi i së njëjtës, sepse turistët përballlen që në hyrje të kësaj qendre turistike me mbeturina.

    “Ne gjithmonë kemi potencuar se nevojiten parkingje shtesë dhe kjo është momentalisht një kërkesë urgjente për autoritetet përgjegjëse që të ketë më shumë vende për parkime. Mbeturinat poashtu janë problem, ne kemi kërkuar dislokimin e pikës së grumbullimit të mbeturinave që është në hyrje të Kodrës së Diellit që e njëjta të dislokohet, sepse mendoj nuk është imazh i mirë nëse një turistë në hyrje ballafaqohet me kontejnerët për mbeturina”, tha Hashim Hasani, pronar i hotelit “Skardus”. Në ndërkohë, ende vazhdon të jetë në gjendje të rëndë infrastruktura në këtë pikë turistike, sidomos sidomos në lagjen e vikend shtëpizave. Autoritetet në Kodrën e Diellit presin që me rritjen e reshjeve të bores, të fillojë sezoni turistik edhe në mënyrë solemne. (koha.mk)

    Lajmi Paraprak

    Pronari i “Besa Trans”: Thashë me vete “pse nuk isha edhe unë në atë autobus, të vdisja edhe unë në autobus”

    Lajmi i rradhës

    Tragjedia në Bullgari dhe gjuha e urrejtjes: Përse të mbajmë zi kur ata nuk janë tanët, ata nuk janë maqedonasë (Video)

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë