Koja: Fatkeqësisht po rritet numri i rasteve të dhunës onlajn, veçanërisht ndaj gazetareve femra

    Maqedonia e Veriut arriti progres historik në qëllimin e saj strategjik, e ai është integrimi euroatlantik, anëtarësimi drejt NATO-s dhe përfundimisht fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE, thekson në intervistën për AIM, shefi i Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadori Klemens Koja, përcjell Nistori.

    Megjithatë, thekson Koja, vendi ka ende shumë punë për të bërë në disa fusha kyçe, duke përfshirë zbatimin e legjislacionit reformues, strategjitë dhe planet e veprimit të krijuara për të përmirësuar funksionimin e institucioneve, si dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve. Një nga këto fusha është sistemi i drejtësisë.

    Koja, i cili së shpejti do të largohet nga vendi pas përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar në krye të OSBE-së, thekson se mbështetja për reformat në fushën e drejtësisë mbetet një nga fushat prioritare të punës së Misionit, duke përfshirë mbështetjen për modernizimin e Kodit Penal dhe Ligjit të Procedurës Penale.

    “Kur mbërrita në Shkup, u befasova nga fenomeni që përmendët, niveli jashtëzakonisht i ulët i besimit të publikut në gjyqësor. Sipas mendimit tim, rritja e transparencës, paanshmëria dhe gjykimi efektiv dhe në kohë i rasteve janë faktorët kyç në rritjen e besimit të publikut. Duhet të respektohen parimet e barazisë para ligjit dhe, natyrisht, gjykatësit dhe prokurorët duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre pa asnjë ndikim të jashtëm dhe përmes së cilës duhet të demonstrojnë integritet personal”, thekson shefi i Misionit të OSBE-së në vend.

    Në lidhje me situatën në mediat në Maqedoninë e Veriut, Koja thekson se situata është përmirësuar gjatë mandatit të tij, gjë që është dëshmuar edhe me rangimin e shtetit në raportet ndërkombëtare për këtë temë.

    “Por ka ende hapësirë të konsiderueshme për përparim. Së pari, legjislacioni i reformuar për median duhet të zbatohet plotësisht. Organet e reja drejtuese të RTM-së dhe Agjencisë për Media nuk janë krijuar, ndërsa gazetarët ende përballen me kushte të vështira pune, shpesh duke marrë kontrata afatshkurtra që ofrojnë pak siguri në punë. Misioni ynë ka punuar shumë për të mbështetur përpjekjet për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve dhe ne jemi të kënaqur që numri i sulmeve fizike ndaj gazetarëve është ulur vitet e fundit”, thotë Koja.

    Ai shtoi se fatkeqësisht po rritet numri i rasteve të dhunës kibernetike dhe dhunës onlajn, veçanërisht ndaj gazetareve femra.

    “Ne inkurajuam institucionet përkatëse qeveritare që të përmirësojnë reagimin e tyre në raste të tilla. Gjithashtu kemi punuar për përmirësimin e standardeve profesionale për raportimin dhe rritjen e mbulimit mediatik të problemeve të grupeve të ndjeshme në vend”, thekson Koja.

    Maqedonia e Veriut vitin e ardhshëm është kryesuese e OSBE-së, ndërsa Koja në intervistë për AIM theksoi se ajo është detyrë e madhe, por edhe nder për vendin, i cili ishte zgjedhur njëzëri si kryesues nga të gjitha 57 vendet pjesëmarrëse.

    “Kam respekt të madh për ambasadorin Xhundev dhe ekipin e tij në misionin tuaj në Vjenë dhe për ekipin e formuar nga Qeveria për të punuar në Presidencën këtu në Shkup. Nuk kam dyshim se do të bëjnë një punë të shkëlqyer si kryesues në një mjedis shumë të vështirë dhe kompleks”, potencoi Koja.

    Lidhur me angazhimet e tij të ardhshme pas përfundimit të mandatit në Shkup, ai thotë se si diplomat austriak “i huazuar” në OSBE në katër vitet e fundit, do të kthehet në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë.

    Lajmi Paraprak

    Rexhepi akuzon Kasamin dhe Hoxhën për ndërrim të partive

    Lajmi i rradhës

    Kokainë, në ‘menunë’ e lokalit në Fier! Arrestohet pronari, sekuestrohen mbi 18 mijë euro dhe një armë

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë