18 nëntori i vitit 2024 ishte data e mbajtjes së një seance të përbashkët të Qeverise së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Kosovës. Mes tjerash, në këtë mbledhje u nënshkrua edhe Protokolli për vendosjen e sistemit të një kontrolli të përbashkët në kufirin Maqedoni-Kosovë, që ndryshe njihet si One Stop Shop. Atëherë u tha që ky sistem do të vendoset më 1 janar.
“Nga janari 2025, pikat kufitare Hani i Elezit-Bllacë dhe Jazhincë-Glloboçicë do të fillojnë të funksionojnë sipas modelit ‘hyrje-hyrje’, duke eliminuar vonesat dhe lehtësuar qarkullimin për qytetarët dhe bizneset”, u tha pas mbledhjes së dy Qeverive.
Më vonë, zyrtarët të lartë të Qeverisë si zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai pati deklaruar se çështja e sistemit One Stop Shop me Kosovën është në përfundim e sipër dhe në fund të janarit do të vihet në funksion. Por meqë jemi në javën e fundit të janarit, mund të konstatojmë që edhe ky afat nuk u arrit. Tani, Qeveria po premton se funksionalizimi i plotë i këtij sistemi do të ndodhë pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të cilat janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt.
“Në Kosovë ka fushatë për zgjedhje parlamentare. Pres që pas përfundimit të fushatës, të përshpejtohet ky proces. Tek ne edhe në formë teknike edhe administrative puna ka përfunduar. Le të përfundojnë atje zgjedhjet dhe ta finalizojmë edhe atë projekt”, ka deklaruar kryeministri Hristijan Mickoski.
Në ndërkohë, nuk ka një ditë të vetme ku nuk ka radhë të gjata në vendkalimin kufitarë Bllacë-Han i Elezit, ndërsa pritjet janë më shumë se një orë për të kaluar njërën anë të kufirit, konkretisht atë të Maqedonisë, si në hyrje – ashtu edhe në dalje. Kjo gjendje shkakton revoltë dhe nervozë te popullata, të cilët edhe nëpërmjet rrjeteve sociale shprehin mllefin e tyre.
“Kjo është e tmerrshme, e kam humbur durimin me këtë kufi. Kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një vendkalim kufitar. Ajo që ndodh me pritjet është skandaloze, është një katastrofë për ata që udhëtojnë çdo ditë”, janë disa nga komentet e njerëzve nëpër rrjete sociale të shoqëruara me fotografi dhe video të kolonave të gjata.
Analisti Faton Mehmedi vlerëson se arsyeja kryesore e vonesave qëndron te mirëmbajtja e sistemit të policisë kufitare për kontroll të dokumenteve të udhëtimit. Ai nuk e përjashton edhe mundësinë që nëpunësit policor gjithë këtë situatë e shkaktojnë për të provokuar shqiptarët.
Pritjet e gjata në vendkalimin “ Bllacë” janë përditshmëri në çdo stinë të vitit, me vite të tëra. Kjo ka të bëjë me më tepër faktorë, siç janë infrastruktura rrugore joadekuate dhe mentaliteti joadekuat i punës së nëpunësve shtetëror.
“Nuk është temë e re kur dëgjojmë se ‘ra sistemi’ ndërsa nuk është e çuditshme që kjo sjellje dhe ky arsyetim i nëpunësve të provokojë mosbesim tek qytetarët ndaj uniformës dhe të nënkuptohet sabotim i qëllimshëm që ka për bazë urrejtjen ndaj shqiptarëve. Sidoqoftë, faji kryesor i pritjeve të gjata është në sistemin kontrollues që nuk përditësohet sipas nevojës, si dhe operatorët e tij që ndoshta nuk kanë trajnim adekuat për të qenë efiçient sikurse kolegët e tyre kosovarë që në këtë aspekt janë një dekadë para organeve të Maqedonisë së Veriut”, vlerëson Mehmedi.
E derisa qytetarët keqtrajtohen, partitë politike shqiptarë hedhin fajin njërit tjetrit në lidhje me temën e pritjeve në kufi. Fillimisht BDI ka akuzuar përfaqësuesit shqiptarë në qeveri si bashkëpunëtorë të politikës apo planit për të ngadalësuar komunikimin dhe bashkëpunimin ndërmjet dy anëve të kufirit, duke akuzuar se vonesat janë të qëllimshme dhe kane për qellim dekurajimin e lidhjeve te forta e te ngushta mes dy shteteve, posaçërisht te shqiptareve.
Ndërsa nga koalicioni VLEN janë përgjigjur se me qeverisjen serioze e të përgjegjshme brenda pak muajve arritën të nënshkruajnë marrëveshje për one-stop shop me Kosovën, e cila së shpejti do të hyjë në fuqi. Sipas VLEN-it vendi asnjëherë nuk ka pasur raporte më të mira me Kosovën.
Përndryshe, One Stop në Bllacë ishte promovuar fillimisht nga qeveria LSDM-BDI. Megjithatë, edhe pse vendosja një sistemi të tillë, pritet të mundësojë qarkullim më të shpejtë të mallrave dhe njerëzve, një gjë e tillë pritet të shihet në praktikë. Kjo, për faktin se sisteme të tilla vendi ynë ka edhe me Shqipërinë në Qafë Thanë dhe Serbinë në Tabanoc, por edhe në këto dy vendkalime kufitare shpesh ndodhë të ketë radhë të gjata për kalim. /Koha/