Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar përbërjen e re të Komisionit Nacional të Teksteve. Në bazë të Ligjit për tekstet shkollore për arsimin fillor dhe të mesëm, Qeveria emëroi në përbërje prof. Goce Cvetanovski, dr. Bilal Shahini, Prof. Sllagjana Bërsakoska, Dr. Agim Rexhepi, Prof. Sasho Tatarçevski, Prof.Dr. Ana Gaceva, Prof. Dr. Ljuben Tevdovski, prof. Nikolla Minov dhe Ilmi Bislimi, si anëtarë të rinj.
Komisioni Kombëtar i Teksteve ka disa përgjegjësi sipas ligjit për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, duke përfshirë krijimin e komisioneve recensuese për dorëshkrimet e teksteve shkollore, diskutimin e vlerësimeve të ekspertëve të dorëshkrimeve të teksteve shkollore në lëndët përkatëse dhe marrjen e vendimeve për miratimin dhe përdorimin e teksteve shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimi Pedagogjik presin që përbërja e re e Komisionit të intensifikojë dhe avancojë procesin e miratimit të teksteve shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm dhe të jetë filtri kyç në ofrimin e mjeteve bazë cilësore për përvetësimin e kurrikulës”, thuhet në njoftim.
MASH ka informuar se ky vit shkollor fillon me të gjitha tekstet e nevojshme, me përjashtim të teksteve për mësimin e gjuhëve të huaja, nga klasa e 1 deri në të 9. MASH ka bërë me dije se tenderi për ta do të shpallet kur të ketë kushte ligjore, sepse tani për tani është në procedurë ankimore. Deri atëherë, mësuesit do të japin mësim sipas planit mësimor, me skripta, video dhe materiale të tjera në dispozicion për përdorim. Ndërkohë që këtë vit nxënësit e klasës së 7-të do të marrin tekste sipas programit të vjetër, për shkak të procedurave të papërfunduara nga ana e MASH.
“Një pjesë e teksteve tashmë janë shpërndarë, disa janë duke u shtypur dhe sipas kontratës me shtypshkronjën duhet të jenë në shkolla më 1 shtator. Fatkeqësisht, kemi gjetur edhe lëndë për të cilat nuk ka tekste, ndonëse qeveria e mëparshme ka njoftuar opinionin se ato janë dhënë. I vura në dukje gjuhët e huaja, por edhe lëndët për gjuhën dhe kulturën e komuniteteve për të cilat, kryesisht për shkak të cilësisë së dobët të teksteve të propozuara, nuk janë miratuar. Por ne bëmë përpjekje që t’u sigurojmë materiale në formë digjitale që mund t’i përdorin studentët”, ka deklaruar ministrja Vesna Janevska.
MASh po punon për kthimin e historisë si lëndë e veçantë, ndërsa sa i takon edukimit parashkollor, kërkon ta kalojë në kompetencat e veta. /Koha/