Ligji për Përfaqësim të Drejtë për dallim prej Balancuesit nuk e rregullon në mënyrë të rreptë çështjen e përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në administratë, por ka një qasje më feksibile.
Synimi i tij nuk është që përfaqësimin e drejtë dhe adekuat ta vendos në një barazi matematikore, por në një pasqyrim të përafërt. Kjo mes tjerash thuhet në mendimin e publikuar të Komisionit të Venecias lidhur me projektligjin e shumëpërfolur i cili, pas shfuqizimit të Balancuesit në tetor të vitit të kaluar, duhet ta rregullojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të komuniteteve nëpër institucione shtetërore.
Komisioni, rekomandon që në ligj të bëhet e qartë se meritokracia do të jetë kriter bazë për punësim.
“Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i komuniteteve do të varet nga niveli i arsimimit të qytetarëve, ai mund të arrihet vetëm nëse të gjitha komunitetet përfitojnë arsim të barabartë që në moshë të hershme. Kushtet e barabarta për të gjithë qytetarët do të kontribuojnë në arritjen e një sistemi të bazuar në meritë dhe zvogëlimin e rëndësisë së origjinës etnike”, njoftojnë nga Komisioni i Venecias.
Komisioni, më tej të kërkon që ligji sigurojë që kriteret etnike të punësimit të mos përdoren në mënyrë që mund të cenojë punësimin e bazuar sipas meritokracisë.
“Të sqarohet në ligj se kualifikimet janë kriteri parësor për punësim në organet publike, se përkatësia ndaj një komuniteti të nënpërfaqësuar mund të merret parasysh si kriter dytësor për kandidatë me kualifikime dhe kompetenca të barabarta, dhe se masat e veçanta në favor të komuniteteve të nënpërfaqësuara ose individëve që u përkasin atyre duhet të jenë në përputhje me parimin e proporcionalitetit”, thonë nga Komisioni i Venecias.
Sipas Venecias, problemi kryesor i ligjit është precizimi i punësimit në praktikë. Ndërkohë që Metodologjia, e cila duhet ta rregullojë këtë çështje, rekomandohet që të futet brenda ligjit dhe jo të miratohet si akt i jashtëm. Komisioni plotësisht kërkon që të sqarohen edhe pasojat e mundshme për ata që nuk do ta deklarojnë përkatësinë etnike. Komisioni kërkon më tepër hollësi për kriteret objektive që do të përcaktojnë përkatësinë etnike të kandidatëve. Si dhe sqarime shtesë lidhur me përbërjen e Trupit Koordinues. /Alsat/






