Kompanitë perëndimore largohen nga Rusia, rusët mbeten pa punë

    Për shkak të sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë gjithnjë e më shumë rusë po humbasin vendet e punës. Me disa efekte të sanksioneve që ende pritet të vihen në fuqi numri i të papunëve mund të rritet edhe më tej.

    Deri në fund të janarit Aleksandri (emri i ndryshuar) punonte në një fabrikë me turne 12 orëshe nate duke fituar 35.000 rubla në muaj rreth 480 euro. Studenti 22 vjeçar nga rajoni Saratov në jugperëndim të Rusisë dëshironte të bëhej pilot, por për arsye shëndetësore, që nuk e lejonin këtë, ai ndryshoi mendim për t’u bërë vëzhgues ajror. Ai rastësisht pa një shpallje të një kompanie ajrore ruse dhe menjëherë aplikoi. U ftua pë rnjë intervistë dhe për një test praktik në Volgograd. Të dyja provat kaluan mirë. Në atë kohë Aleksandri hoqi dorë nga puna në fabrikë.

    Kompania ajrore i ofroi atij kushte të mira: një kurs trainimi në Moskë pasuar me një kontratë pune me një rrogë mujore 100.000 rubla, rrreth 1370 euro. Por ai nuk e bëri asnjëherë trajnimin. Më 24 shkurt Rusia nisi invazionin në Ukrainë dhe kompanitë e huaja filluan të largohen nga tregu rus. Sanksionet e Perëndimit prekën qindra individë dhe firma ruse duke përfshirë edhe shoqëritë ajrore. Por ashtu Perëndimi mbylli hapësirën ajrore për aeroplanët rusë dhe ndaloi shitjen, furnizimin dhe transferimin e aeroplanëve dhe pjesëve të këmbimit për në Rusi. Kjo i detyroi shoqëritë e aviacionit leasing që të mbyllnin kontratat për aeroplanët në Rusi, por firmat ruse nuk i kthyen avionët e marrë me qira.

    Sidoqoftë këta avionë sot qarkullojnë  vetëm në destinacione brenda Rusisë. Si rrjedhojë trainimi i Aleksandrit si dhe punësimi i tij u anuluan. Ai mendon tani se nuk ka kuptim të aplikojë për punë në shoqëri të tjera ajrore. “Aeroplanët nuk i nënshtrohen kontrolleve të mirëmbajtjes, që janë një procedurë normale. Pjesë këmbimi nuk furnizohen. Ndaj gjendja e këtyre aeroplanëve që qarkullojnë në ajër nuk është e sigurtë. Rreziqet për mua janë shumë të mëdha”, thotë Aleksandri.

    Kthim pas i ekonomisë si në vitet 90-të

    Tatjana Mikhailova një ekonomiste dhe lektore në shkollën për New Economy në Moskë thotë, se sanksionet do të kenë efekte afatgjata duke përfshirë edhe përjashtimin e Rusisë nga zinxhirët e furnizimeve globale dhe se këto kufizime do të shkaktojnë prapambetje teknologjike. “Industria e aviacionit ndërkohë po ankohet se nuk do të ketë pjesë këmbimi pas gjashtë muajsh. Industri të tjera po përballen me zhvillime të ngjashme”, thotë Mikhailova.

    Ajo pret qe ekonomia ruse të pësojë rënie duke u kthyer pas në nivelin e viteve 90-të. Ajo thekson, se sanksionet do të godasin të gjithë sektorët e ekonomisë ruse që përdorin komponentë të huaj siç është industria e automobilëve, sektori i farmaceutikës dhe madje dhe bujqësia që merr fara nga jashtë. “Shumë biznese do të detyrohen të mbyllen dhe të pushojnë punëtorët nga puna. Kërkesa për mallra dhe shërbime do të bjerë, sepse popullsia do të varfërohet dhe kjo do të prek çdo sektor, madje deri tek floktoret dhe sallonet e kozmetikës”, thotë Mikhailova.

    Sipas saj  shumë rusë po humbasin vendet e punës dhe nuk kanë mundësi të gjejnë vende të reja pune, sepse po bie kërkesa për punonjës të kualifikuar. Ajo thotë se njerëzit në Moskë janë veçanërisht të prekur, sepse shumë prej tyre punojnë në sektorin e financave ose në shërbimet e marketingut dhe publicitetit. Sipas të dhënave të kryebashkiakut të Moskës Sergej Sobyanin rreth 200.000 njerëz vetëm në kryeqytetin rus po humbasin punën pasi shoqëritë e huaja po largohen.

    Një banore e Moskës: “E prisnim por jo kaq shpejt”

    Aliona (emri i ndryshuar) një 19-vjeçare punonte si shitëse tek firma spanjolle e konfesioneve “Zara”. Kjo punë i përshtatej studimeve të saj universitare që ajo kishte kryer. Por në fillim të marsit firma u tha punonjësve të saj, se të gjitha dyqanet në Rusi do të mbylleshin dhe se asnjë nga punonjëset nuk duhej të vinte më në punë. “Bashkëpunëtorët e mi dhe unë e prisnim këtë, por jo kaq shpejt”, thotë Aliona. Ajo ende merr dy të tretat e pagës së saj dhe pushimet vjetore i paguhen. „Situata ime nuk është më e keqja. Unë punova atje vetëm për para dhe sidoqoftë do ta lija këtë punë. Unë tani dua të fokusohem tek avancimi im në karrierë dhe të gjej një punë në profesionin që më pëlqen”, thotë Aliona, e cila ndërkohë po ndjek një kurs trainimi për dizajn.

    Marina (emri i ndryshuar) do gjithashtu një punë për të avancuar më tej. 30 vjeçarja nga Moska punon në fushën e marketingut digjital. Dimrin e kaluar në firmën ku ajo prej kohësh donte të punote i thanë, se ka një pozicion për të. Por kur nisi lufta e Rusisë në Ukrainë, menaxhuesit i thanë papritur, se nuk do të marrin më punonjës të tjerë. Kjo e zhgënjeu shumë Marinën. „Natyrisht unë do të doja të gjej anjë pozicion të ngjashëm, por kjo nuk është realiste në të ardhmen e afërt. Shumë firma po pakësojnë numrin e personelit. Dhe në përgjithësi është ulur kërkesa për punonjës të rinj. Sidomos në marketing”, thotë ajo. Pikërisht tani nuk bëhet fjalë për të plotësuar ambiciet për karrierë, por është e rëndësishme të gjesh një burim të ardhurash, thotë ajo më tej.

    Forbes: Papunësi masive në fund të vitit

    Forbes së fundi shkruan, se më shumë se 600.000 vende pune mund të humbasin deri në fund të vitit në Rusi. Për Aleksandrin humbja e vendit të punës u shoqërua me efekte të forta anësorë emocionale. “Nëse unë nuk do ta kisha kaluar testin do të kishte qenë gabimi im dhe unë do të isha përpjekur të përmirësohesha. Por ndodhi diçka që unë nuk e kisha parashikuar dhe unë nuk mund ta ndryshoj, e kjo më lëndon”, thotë ai. Aleksandri synon tani të bëjë fillimisht studime të larta më të avancuara dhe pastaj të kërkojë një punë. Prindërit po e ndihmojnë atë me para. Asnjë nga personat që folën për DW nuk e mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë. Të gjithë ata mendojnë të largohen nga vendi i tyre. “Ne kemi disa mendime të përgjithshme për të lëvizur, por ende nuk e kemi planifikuar ta lemë Rusinë në këtë kohë, por këtë opsion e kemi në mendje”, thotë Marina.

    Aliona do fillimisht të marrë një diplomë nga një universitet rus dhe më pas ajo synon të largohet drejt Gjermanisë. Qendrimi i Aleksandrit në kryeqytetin e Rusisë ishte menduar fillimisht si një një stacion i ndërmjetëm për të shkuar diku tjetër. “Unë mendoja se kjo do të më jepte mua mundësi”, thotë ai. Pas Moskës kishte planifikuar të shkonte jashtë vendit. “Por tani është shumë më e ndërlikuar. Çmimet janë rritur, ndërkohë që rrogat kanë mbetur të njëjta dhe për këtë njerëzit janë të pakënaqur. Në vend që të bëjnë qeverinë ruse përgjegjëse ata fajësojnë njerëzit që qendrojnë pas sanksioneve, kritikon Aleksandri. Ai e pranon, se vërtetë do të largohet, por për të është e vështirë të flasë për këtë çështje.

    Disa nga të intervistuarit e DW kërkuan që për arsye të sigurisë personale të mos publikohen emrat e tyre të plotë. Ky artikull fillimisht u botua në origjinal në rusisht.

    Lajmi Paraprak

    “Grupi i Kumanovës”, disa të burgosurve u lejohen vizitat familjare, të tjerët vazhdojnë grevën e urisë

    Lajmi i rradhës

    (PA) PASTËRTIA | Kasami: Tetova është e pastër vetëm kur kontribuojmë bashkërisht

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë