Komuna e Tetovës nuk ka buxhet të mjaftueshëm për trajtimin e qenve endacakë (Video)

    Gazetare | Blerona Jakupi Zylbehari

    Ka rreth një muaj e gjysmë që Komuna e Tetovës nuk bën asgjë për të zgjidhur problemin me qentë endacakë në Tetovë. Qytetarët lëvizin të frikësuar në qendër të qytetit, parqe, por edhe pranë banesave të tyre. Trajtimi i qenve endacakë është ndërprerë, sepse buxheti i ndarë nga komuna tashmë është harxhuar. Kështu deklaron për Nistori, veterineri Rami Selmani i cili kishte kontratë me komunën e Tetovës për trajtimin e qenve endacakë. 

    “Në komunën e Tetovës deri më tani janë trajtuar rreth 650 qen endacakë. Mjetet e destinuara për trajtimin e të njëjtëve, që kanë kapur vlerën e 3 milionë denarëve janë harxhuar para një muaji e gjysmë dhe tani puna është ndërprerë. Trajtimi i një qeni kërkon nga 8 – 10 mijë denarë”, deklaron Selmani. 

    Ditëve të fundit, sipas Selmanit, janë sjellë qen nga qytete të tjera dhe ndryshimi i territorit, sipas tij, bën që qentë të bëhen akoma më agresiv. Megjithatë, ai thekson se duhet të sillet një zgjidhje mbarë shtetërore, sepse ky nuk është problem vetëm i Tetovës apo Gostivarit, por i gjithë vendit. 

    Nga komuna e Tetovës, me anë të një komunikate për medie premtojnë se do të ndajnë mjete shtesë për zgjidhjen e problemit me qentë endacak. 

    “Do të ndahen mjete shtesë, por ky problem duhet që të zgjidhet në nivel shtetëror. Nga UNDP për momentin është duke u kërkuar një kompani me përvojë në këtë sferë dhe tani për tani është duke u punuar në dokumentacionin për ndërtimin e një qendre rajonale për grumbullimin e qenve endacakë.”

    Nga ana tjetër, për Nistori, nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se nga fillimi i këtij viti e deri më tani, vetëm në Tetovë janë paraqitur 54 raste sulmi nga qentë endacak. Me po të njëjtën problematikë ballafaqohet edhe qyteti i Gostivarit, ku atje janë paraqitur gjithsej 46 raste të kafshimit nga qentë.

    Ndërkaq, lidhur me akuzat se në Tetovë sillen qen edhe nga qytete të tjera të vendit, nga ky sektor thonë se nuk ka denoncime e as fakte. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Mickoski – Zaevit: Dëshira për pushtet ju ka bërë profiter politik, nëse keni një gram përgjegjësi – dorëhiquni!

    Lajmi i rradhës

    Populli bardhezi

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë