Komunat po i mbajnë larg të rinjtë!

    Ende asgjë të re për formimin e Asamblesë Kombëtare për të Rinj dhe Trupin Kombëtar Këshillues për Politikat Rinore. Këshilla rinore lokale ka vetëm në 19 komuna që është 23% i numrit të përgjithshëm të komunave, thuhet në Raportin e monitorimit të zbatimit të ligjit të përgatitur nga Këshilli rinor kombëtar i Maqedonisë së Veriut. Në raport vërehet se edhe pas më shumë se tre viteve nga miratimi i Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, ai ende mbetet i pazbatuar, sidomos në nivel komunal. Sipas raportit, Komunat vazhdojnë të tregojnë interesim të dobët për zbatimin e obligimeve ligjore, dhe një nga sfidat më të mëdha është ngritja e Zyrës për rini.

    “Vetëm një komunë ka themeluar ashtu si duhet zyrën për rini, si vend ku të rinjtë nga komuna mund të informohen për çështjet që kanë të bëjnë me rininë, e të cilat janë nën juridiksionin e komunës”, thonë nga Këshilli Kombëtar Rinor. Raporti thekson se vetëm shtatë komuna apo vetëm 8% e tyre kanë miratuar Strategjinë Lokale për Rini, dhe vetëm katër komuna kanë krijuar dhe miratuar një plan veprimi.

    “Deri më tani, Qendra rinore ka vetëm në shtatë komuna, pra në 9% të numrit të përgjithshëm të komunave. Në institucionet shtetërore janë emëruar 57 zyrtarë të rinj, ndërsa në komuna 64. Në përqindje, 79% e tyre e kanë përmbushur këtë detyrim”, thuhet në raport. Sa i përket planifikimit të buxhetit komunal, në vitin 2022 vetëm shtatë komuna kanë ndarë mjete specifike për zbatimin e ligjit, ndërsa në 2023, janë 13 komuna të cilat kanë ndarë mjete për përmbushjen e obligimeve të tyre.

    Të dhënat e raportit në nivel lokal janë mbledhur nga vëzhguesit rajonal në periudhën nga shtatori 2022 deri në shkurt 2023 përmes monitorimit aktiv të zbatimit të Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe Politika rinore në rajonet e tyre, dhe të njëjtat janë krahasuar me raportet e mëparshme të monitorimit, për të evidentuar segmentet me progresin më të madh në drejtim të zbatimit të ligjit. Raporti i monitorimit për zbatimin e ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore është përgatitur nga Këshilli Rinor Kombëtar i Maqedonisë së Veriut, në partneritet me fondacionin për Zhvillimin e Bashkësisë Lokale-Shtip, SFERA Internacional, dhe platformën për Fuqizimin e Rinisë YEP, e gjithë kjo në kuadër të projektit “Komunitetet gjithëpërfshirëse për të rinjtë”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. /Kohamk/

    Lajmi Paraprak

    Micevski: Të premten nuk do të mbështesim amendamentet kushtetuese, nuk kemi presion, kemi mbështetje për të qëndruar

    Lajmi i rradhës

    Ahmeti, asnjë fjalë për vizitën e Albin Kurtit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë