Komuniteti rom dhe egjiptian fiton në Strasburg kundër qeverisë shqiptare për diskriminim në shkollë

    Qeveria ka diskriminuar fëmijët e komunitetit rom dhe egjiptian. Kështu thotë vendimi i fundit i Gjykatës së Strasburgut lidhur me denoncimin dhe padinë e bërë nga 5 gra e komuniteteve rome dhe egjiptiane kundër segregimit të shkollës 9 vjeçare “Naim Frashëri” në qytetin e Korçës.

    Komisionerja kundër diskriminimit në qarkun e Korçës, Eva Tare tregon se kjo padi është ngritur pas ankesës të 5 grave dhe mbështetjes nga ky institucion.

    “Thoshin që në shkollën tonë ka vetëm fëmijë të këtyre dy komuniteteve, nuk kemi fëmijë të tjerë. Tek komisioneri u bë një ankesë, në 2015 ka dalë me një rekomandim dhe vendim se është diskriminim. Politikat e ndërmarra nga qeveria sollën këto pasoja, që në shkollë kanë ngelur vetëm të komunitetit rom dhe egjiptian”, thotë Eva Tare.

    Fitorja në Strasburg është një mesazh i qartë për këtë komunitet.

    “Është një mesazh që unë e ngre gjithmonë, në qoftë se kërkon të drejtën, edhe pse është me vonesë, nga 2017 që kaloi në Strasburg deri më sot ka kaluar një periudhë e gjatë kohore, fiton”, shprehet Tare.

    Vendimi është i formës së prerë çka do të thotë se qeveria shqiptare duhet të dëmshpërblejë me nga 4500 euro secilën prej grave të komuniteteve rome dhe egjiptiane, ndërkohë që për të njëjtat problematika denoncime në zyrën e komisionerit kundër diskriminimit kanë shkuar nga Gjirokastra, Berati dhe Shkodra.

    Prej më shumë se 10 vitesh, në shkollën ‘Naim Frashër’, nxënësit e qytetit nuk regjistrohen më, duke lënë në këtë shkollë vetëm fëmijët romë dhe egjiptianë. Strasburgu e ka gjetur përgjegjëse qeverinë shqiptare pasi nuk ka zbatuar ligjin që fëmijët të regjistrohen në shkolla sipas lagjeve ku banojnë, duke preferuar shkolla të tjera dhe dukë lënë ‘Naim Frashërin’ vetëm për komunitetet e diskriminuara. /Euronews Albania/

    Lajmi Paraprak

    Nuredini, apelon që qytetarët për ngrohje të përdorin lëndë nga druri i pastër

    Lajmi i rradhës

    Kreshnik, mos harro! Pas koncertit, kontrolloni çmimet e larta në marketet e Tetovës

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë