Konfirmohen kandidaturat për zgjedhjet lokale në RMV

    Janë konfirmuar tashmë kandidatët të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftojnë se janë refuzuar vetëm dy kandidatura për kryetarë komunash, një në Ohër dhe një në Strugë dhe gjashtë lista të kandidatëve për këshilltarë në disa komuna. LSDM-ja ka nxjerr në garë 69 kandidatë për kryetarë komunash dhe lista për këshilltarë në të gjitha komunat dhe në Qytetin e Shkupit.

    Qytetarët duan që të vazhdojë zhvillimi, përparimi i komunave dhe shtetit me LSDM-në, prandaj në këto zgjedhje lokale, qytetarët në mënyrë masive do të qëndrojnë pas konceptit të LSDM-së i cili na çon përpara për zhvillim ekonomik lokal – tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

    VMRO-DPMNE-ja nuk konfirmoi nëse kandidaturat e saj janë pranuar të gjitha dhe në sa komuna ka kandidatë për kryetarë. BDI-ja po ashtu nuk tregoi për numrin e listave por thonë se opsionet e saja do të jenë fituese.

    Si parti fitues e të gjithë cikleve zgjedhore deri më tani, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe kandidatët e saj për kryetarë komunash dhe këshilla komunal po ofrojnë zgjidhje për problemet konkrete në nivelin lokal, duke ecur mbi pesë shtyllat e përcaktuara që përmirësojnë jeton e qytetarëve në mënyrë direkte – u shpreh Jeton Shaqiri, BDI.

    Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e bindur se në këto zgjedhje do të konfirmohet besimi i qytetarëve ndaj ofertës së tyre.

    Nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë konfirmuar 16 kandidatura për kryetarë komunash dhe 29 lista për këshilltarë. Presim që edhe në 17 tetor lista të konfirmohet edhe nga qytetarët me fitore në këto komuna – tha Abdulla Osmani, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa.

    “E Majta” do të garojë me lista për këshilltarë në 38 komuna dhe 7 kandidatë për kryetarë, kryesisht në komunat e Shkupit. Kjo parti jep mbështetjen edhe për kandidaten e pavarur në Qytetin e Shkupit.

    Kandidatët partiak për kryetarë komunash si dhe kandidatët që ndodhen në listat për këshilltarë komunash, janë kuadro të përbërë nga njerëz të zakonshëm nga të gjitha fushat dhe profesionet si inxhinierë, informaticientë, juristë, sportistë, arkitektë, etj -tha Amar Mexhinoviq, “E Majta”.

    Në të gjithë vendin janë gjithsej 80 komuna dhe Qyteti i Shkupit. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të pranojë së shpejti edhe dërgesat e tjera me pajisjet për identifikimin e votuesve me shenjat e gishtave, të cilat duhet të kompletohen deri në fillim të muajit tetor. Me pajisjet që tashmë kanë arritur në këtë institucion do të trajnohen këshillat zgjedhor, se si t’i përdorin ato. /Alsat M/

    Lajmi Paraprak

    Disa plumba përfundojnë në godinën e Medresesë së Vajzave në Tetovë

    Lajmi i rradhës

    Personat me sëmundje të rralla në RMV presin shumë gjatë për terapitë, “institucionet janë të shurdhura”

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë