Qeveria e Kosovës ka miratuar sot nismën për amandamentimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Krushevë (Dragash) – Shishtavec (Kukës).
Njoftimin e ka bërë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu sot Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim Marrëveshjen Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës të Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po ashtu gjatë ditës ka pritur në takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi.
Kurti ka shprehur interesimin dhe gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe që investimet e jashtme që po bëhen në Shqipëri të vazhdojnë edhe në Kosovë.
Gjatë takimit është biseduar edhe mbi përgatitjet për Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet në Tiranë, të enjten, 10 qershor.