Kosovë, kushtetuesja e shpall të pavlefshëm ligjin për çmimet tavan për produktet bazë

    Ligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg është shpallur i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

    Gjykata ka konstatuar se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Në aktgjykimin e publikuar të premten e 24 nëntorit është bërë e ditur, po ashtu, se kërkesa për masë të përkohshme është refuzuar me shtatë vota për, ndërsa një ishte kundër.

    Aktgjykimi i Kushtetueses vjen pas shqyrtimit të rastit të parashtruar nga deputeti Arben Gashi, i përkrahur edhe nga nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

    Tri partitë më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovë patën kundërshtuar ligjin e hartuar nga Qeveria e Kosovës për vendosjen e çmimeve tavan në produktet themelore.

    Ndërsa Qeveria kishte deklaruar se ligji ishte hartuar për shkak të “rritjes së paarsyeshme të çmimeve bazë dhe ankesave të shumta të qytetarëve, lidhur me rritjen e menjëhershme të çmimeve te të gjitha produktet bazë”.

    Sipas qeverisë, ligji do të aplikohej në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

    Ligji, tashmë i shpallur i pavlefshëm, i konsideronte produkte themelore drithërat, bukën, miellin, orizin, pastat, vajin ushqimor të lulediellit, qumështin, kripën e kuzhinës, vezët e pulës, mishin e pulës, sheqerin kristalor, produktet e higjienës personale dhe lëndët e drurit për djegie. /REL/

    Lajmi Paraprak

    Ajsbergu më i madh në botë është në lëvizje pas më shumë se 30 vjetësh

    Lajmi i rradhës

    Bari i zakonshëm kundër dhimbjeve rrit rrezikun e gjakderdhjes vdekjeprurëse të trurit

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë