​Ambasadori Walker: Masakra e Reçakut ka vëmendjen e gjithë botës, për këtë kam shpresuar

    ​Ambasadori Walker: Masakra e Reçakut ka vëmendjen e gjithë botës, për këtë kam shpresua

    Ish-shefi i misionit të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, ambasadori William Walker ka kujtuar viktimat e Reçakut 23 vjet më parë, duke thënë se çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë çfarë ka ndodhur në Reçak.

    Në një video-mesazh në akademinë kushtuar masakrës në Reçak, Walker ka thënë se ai nuk do të harrojë kurrë atë që ndodhi 23 vjet më parë.

    “Çdo vit nga 1999, është rritur rëndësia për atë që ka ndodhur në Reçak. Reçaku zë vend shumë të veçantë në zemrën time.

    Gjatë viteve të fundit, çdo vit ceremoninë e 15 janarit është ndjekur me vëmendje së pari nga njerëzit nga Kosova dhe në fund nga e gjithë bota. Kjo është ajo që kam shpresuar.

    Ajo në të kaluarën është përkujtuar nga njerëz nga Kosova, por jo edhe nga ambasadat, por kjo tani ka ndryshuar. Kurrë nuk do ta harroj se sa herë jam kthyer gjatë këtyre 22 vjetëve kam parë rimëkëmbjen e këtij vendi. Reçaku nuk ka ndryshuar jashtëzakonisht nga ajo që kam parë. Unë nuk do të harroj kurrë se çfarë do të thotë Reçaku”, tha Walker.

    Ndryshe, ndër masakrat më të rënda në Kosovë të kryera nga forcat serbe është masakra e 15 janarit në Reçak.

    Më 15 janar 1999 kriminelët dhe paramilitarët serbë bënë një masakër makabre në popullatën civile, ku u vranë dhe masakruan 45 shqiptarë.

    Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe. Serbia refuzon të ketë kryer masakër.

    Një ditë pas kryerjes së masakrës, William Walker, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, vizitoi vendin e ngjarjes u tmerrua nga kufomat e masakruara.

    Ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time.”

    Lajmi i masakrës sensibilizoi opinionin ndërkombëtar për krimet serbe në Kosovë dhe i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Serbi. 

    Lajmi Paraprak

    Policia e Kosovës konfirmon se ndaloi futjen e materialit zgjedhor nga Serbia

    Lajmi i rradhës

    Charlie Hebdo tallet me Gjokoviqin

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë