Bogujevci nuk ia jep fjalën në Kuvend kryeministrit Kurti

    Rreth shtatë orë zgjati debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi gjatë të premtes në Kuvendin e Kosovës, ku nuk munguan diskutimet e shumta, replikat pozitë-opozitë e momentet interesante.

    Madje, gjatë kësaj seance zgjati aq shumë diskutimi, sa për një moment, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Saranda Bogujevci e cila po e kryesonte seancën nuk ia dha më fjalën kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

    Ky ishte edhe momenti interesant të cilin mund ta shihni në videon më poshtë, kur pasi kryeministri u drejtua për në foltore, u kthye mbrapsht sepse nuk iu dha fjala nga Bogujevci. (Shtyp këtu për të parë videon)

    Megjithëse pati shumë diskutim, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Propozuesi i këtij debati, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se qeveria e ka devijuar debatin në formën më të ulët të mundshme.

    Kreu i deputetëve të kësaj partie tha se rezoluta është e përkthyer në dy pika.

    “Rezolutën e kam përkthyer në dy pika dhe ato reflektojnë në pozicionin e kryeministrit që e tha për dialog dhe pozicionin e opozitës se si e shohim ne dialogun. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë në nivel politik dhe jo teknik, si dhe të udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës. Dialogu duhet të fokusohet në njohje të ndërsjellë dhe ulësen në OKB, që e tha kryeministri i Kosovës. Këto dy pika i qes në votim”, tha ai.

    Gjatë kësaj seance po ashtu folën edhe nga partitë tjera opozita dhe nga ekzekutivi.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka adresuar një varg kritikash ndaj Qeverisë Kurti, lidhur me dialogun me Serbinë.

    Në debatin parlamentar për dialogun, deputeti Haradinaj tha se procesi i dialogut është kthyer në dialog të teknikëve.

    Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka sugjeruar Qeverinë që mos të fokusohet në çështjet teknike me Serbinë, por tek marrëveshja përfundimtare për njohjen reciproke.

    Në debatin parlamentar për dialogun, Hoti tha se ka paqartësi të madhe për procesin e dialogut. Megjithatë u shpreh kundër mocionin të iniciuar nga AAK-ja.

    Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kërkuar nga Qeveria Kurti që të ketë prioritet anëtarësimin në NATO. Sipas tij, iluzionet për një paqe të përhershme në Evropë janë varrosur dje dhe sot.

    Ai ka kritikuar Qeverinë për qasjen në raport me dialogun me Serbinë, meqë tha se kanë krijuar iluzione se bota e pret Kosovën.

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se është bërë përparim i dukshëm për të gjetur një zgjidhje finale për energjinë në veri të vendit. Kryenegociatori në dialogun me Serbinë tha se momentalisht po punohet për sigurimin e substancës së nevojshme për aranzhimin e takimit të radhës në nivel të krerëve të shtetit për të diskutuar për elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

    Në debatin parlamentar, ku po diskutohet për dialogun me Serbinë, Bislimi paraqiti edhe gjashtë principet e ekzekutivit në raport me dialogun.

    Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar unitet nga partitë parlamentare për dialogun me Serbinë.

    Ajo ka thënë se pas agresionit rus në Ukrainën kanë ndryshuar rrethanat gjeostrategjike dhe Kuvendi duhet të del me një vendim se disa marrëveshje që janë bërë nuk mund të funksionojnë, derisa ka një realitet të ri që po shpërfaq Serbia.

    Gjatë këtij debati nuk kanë munguar as përplasjes mes deputetëve.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përplasur me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Në foltoren e Kuvendit, kreu qeveritar tha se nuk mund të pranojë leksione nga Haradinaj, kur ky i fundit sa ka qenë kryeministër dialogun ia ka lënë ish-presidentit në kohën kur ka lulëzuar ideja e shkëmbimit territorial dhe ka krijuar delegacion teknik.

    Kurti ia ka përkujtuar Haradinajt edhe ambiciet e tij për t’u bërë president, por ka nënvizuar se tashmë presidente është Vjosa Osmani me 300 mijë vota në popull dhe shumicën e nevojshme në Kuvend.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt, i cili ka vazhduar ta quaj mashtrues kryeministrin Kurti.

    Po ashtu, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila kanë pasur një përplasje verbale sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku është diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi.

    Hoxhaj tha se Kusari-Lila foli “palidhje” dhe sipas tij nuk tha asgjë konkrete në lidhje me dialogun, teksa kësaj deklarate iu përgjigj deputetja Kusari-Lila.

    Kurse, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se nuk mund të mbrojë marrëveshje të cilat kanë qenë të pazbatueshme në formatin se si ishin nënshkruar.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është përplasur me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Derisa ai ka kritikuar qeverinë aktuale në raport me Serbinë, Haxhiu i ka replikuar atij.

    Në seancën e Kuvendit lidhur me dialogun, Kosovë-Serbi, Haradinaj i tha Haxhiut se “sa herë ta hapësh gojën edhe unë ta kthej”.

    “Çfarë u bë me këta që i kritikuat për korrupsion, a i keni ende?”, i thotë Haradinaj, teksa Haxhiu iu kthen duke i kërkuar që ta përfundojë fjalën.

    Kurse Haradinaj vazhdon duke i thënë: “Sa herë ta hapsh gojën edhe unë ta kthej, hiç mos ke dert”. /Telegrafi/

    Lajmi Paraprak

    DORACAKU I MILLOSHEVIQIT NË DUART E PUTINIT

    Lajmi i rradhës

    A do ta përmirësojë Kasami gabimin teknik në lidhje me premtimin se parkingu do të jetë 1 orë pa pagesë?

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë