Kryetarja e Preshevës: Masat kundër Covid-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës po ua vështirësojnë lëvizjen qytetarëve të Luginës

    Kryetarja e komunës së Preshevës Ardita Sinani, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të masave të reja antiCOVID-19, të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Sipas Sinanit, këto masa po  e vështirësojnë dukshëm  lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Luginës së Preshevës për në territorin e Kosovës.

    “Vendimi i Qeverisë e Republikës së Kosovës për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 i cili ka hyrë në fuqi me 22 janar, përfshirë masat e reja mbi hyrjet dhe daljet e qytetarëve në dhe nga Republika e Kosovës, përkatësisht nevojën e domosdoshme për certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza, atë me dy (2) doza bashkë me testin RT-PCR negativ, ka vështirësuar dukshëm lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Komunës së Preshevës”, shkroi ajo në Facebook.

    Ajo ka theksuar se vështirësi të mëdha po shfaqen për studentët preshevas të cilët studiojnë në Kosovë, pasi ata nuk i kanë mundësitë financiare për të kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin.

    “Duke qenë se një pjesë jo e pakët e tyre nuk mund ta marrin dozën e tretë sepse nuk kanë kaluar mjaftueshëm muaj nga doza e dytë dhe shumë prej bashkëvendësve tanë nuk kanë mundësitë financiare për ta kryer testin RT-PCR çdo herë që e kalojnë kufirin, kjo masë po e kufizon lirinë e lëvizjes midis Komunës sonë dhe Republikës së Kosovës, ku edhe punojnë, studiojnë, shërohen, apo edhe vizitojnë reciprokisht familjarët e tyre, etj”, theksoi ajo.

    Po ashtu, Sinani i bëri thirrje Qeverisë në Kosovë t’i shqyrtojë këto masa, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit.

    “Duke qenë e vetëdijshme për gjendjen e rënduar me Pandeminë COVID-19, ftoj Qeverinë e Republikës së Kosovës, që ta rishqyrtojë vendimin përkatës, apo edhe ta plotësojë, drejt lehtësimit të lirisë së lëvizjes së qytetarëve të rajonit tonë”, tha jo.

    Lajmi Paraprak

    Greqia i vazhdon për dy javë rregullat për hyrje – edhe më tutje një test negativ i detyrueshëm

    Lajmi i rradhës

    Qeveria nuk e zgjidh problemin me mungesën e mjekëve pediatër në Ohër

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë