Kostoja e 35 vjetorit të pavarësisë së RMV-së mbetet e fshehur

    Boban Millosheski e cilësoi si provokim pyetjen se sa do të kushtojë performanca e David Guetta-s, duke thënë se ajo ishte e panevojshme, pasi, sipas tij, është bërë e ditur disa herë se kur do të publikohet struktura financiare e festimit të Ditës së Pavarësisë, përcjell Nistori.

    Deri më tani, Qeveria nuk ka bërë të ditur se sa kushton organizimi i të gjitha ngjarjeve që lidhen me 35-vjetorin e pavarësisë së vendit.

    “A po ju dukem si idiot?” – kështu iu drejtua pronari i “Avalon Production”, Boban Millosheski, një gazetari që e pyeti gjatë konferencës së sotme për shtyp se pse ende nuk është bërë publike kostoja e performancës së David Guetta-s.

    Millosheski dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) folën në konferencën për shtyp për protokollet e sigurisë dhe organizimin e koncertit të nesërm të DJ-it me famë botërore, me të cilin do të përmbyllet festimi i 35-vjetorit të pavarësisë së vendit.

    Si organizator i ngjarjeve muzikore që janë zhvilluar gjatë disa javëve dhe që do të kulmojnë nesër në mbrëmje në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” në Shkup, Millosheski u pyet nga gazetarja e “Sloboden Peçat”, Mirosllava Simonovska:

    “Pse nuk është bërë publike deri më tani shuma e kontratës? A ka ndonjë klauzolë që e pengon publikimin e saj?”

    Pronari i “Avalon Production” fillimisht iu përgjigj me dy kundërpyetje:

    “A po ju dukem si idiot? Thashë se për çfarë bëhet fjalë në këtë konferencë për shtyp. A keni ndonjë pyetje që lidhet me temën e konferencës?”, tha ai.

    Pasi gazetarja këmbënguli se kjo ishte pyetja e saj, Millosheski vazhdoi duke thënë se konferenca për shtyp kishte të bënte me sigurinë dhe organizimin e koncertit të David Guetta-s, ndërsa për çështjen e kostos duhet të përgjigjet Qeveria.

    “Kjo pyetje është bërë disa herë në konferenca të tjera për shtyp, përfaqësuesve të Qeverisë, të cilët duhet t’i përgjigjen asaj. Unë nuk jam ai që duhet t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Unë jam organizatori i koncertit të David Guetta-s”, tha ai.

    Duke e plotësuar përgjigjen, Millosheski e cilësoi pyetjen si provokim të panevojshëm, pasi, sipas tij, është thënë disa herë se kur do të publikohet struktura financiare e festimit të Ditës së Pavarësisë.

    “Ju kam kërkuar në mënyrën më të qytetëruar dhe të sjellshme që ta promovoni këtë sa më mirë dhe besoj se nuk ka nevojë për një provokim të tillë. Ju është thënë disa herë se kur do të publikohet shuma për të gjithë ngjarjen. Nuk mund të flas tani për të gjithë ngjarjen kur po flasim për David Guetta-n. Besoj se nuk ka nevojë për provokime të tilla”, deklaroi pronari i “Avalon Production”.

    Në kuadër të festimeve, gjatë javëve të fundit janë mbajtur disa ngjarje, përfshirë koncertin e tenorit të njohur spanjoll José Carreras, së bashku me disa yje të muzikës maqedonase. Gjithashtu, në 11 qytete është shfaqur një muzikal me tematikë të lidhur me përvjetorin e pavarësisë.

    Deri më tani, Qeveria nuk ka bërë të ditur se sa kushton organizimi i të gjithë festimit, megjithëse kishte paralajmëruar se struktura financiare do të publikohej pas përfundimit të prezantimit të të gjitha ngjarjeve.

    Në konferencën për shtyp ku u paralajmërua koncerti i José Carreras, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, u pyet nga gazetarët për strukturën financiare të të gjithë festimit dhe për mënyrën se si ishte përzgjedhur “Avalon Production” si partner.

    Miteva deklaroi se Qeveria nuk ka asgjë për të fshehur lidhur me organizimin dhe se të gjitha të dhënat do të bëhen publike pasi të përfundojë prezantimi i të gjitha ngjarjeve. /Nistori/

    Lajmi Paraprak

    Parku memorial në Tetovë mbeti premtim, ministrat dhe politika e shfrytëzuan për sfilatë dhe PR

    Lajmi i rradhës

    Çfarë e bën AfD kaq të suksesshme në landin Saksoni-Anhalt

    Lajme tjera

    Bashkohu

    Informohu në kohë